​Procesi i Berlinit, Ambasada gjermane: Bashkëpunimi rajonal kyç për integrimin evropian

- Advertisement -

Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i rrugës së tyre drejt Bashkimit Evropian mbeten prioritetet kryesore të Procesit të Berlinit.

Kështu ka bërë të ditur Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, një ditë para samitit që do të mbahet më 22 tetor në Mal të Zi, vend i cili udhëheq këtë proces gjatë vitit 2026.

Sipas ambasadës, synimi i Gjermanisë është që gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përmes bashkëpunimit konkret dhe nismave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Procesi i Berlinit është një platformë kyçe politike për forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe për mbështetjen e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për KP.

Ndër objektivat kryesore të kësaj nisme janë përmirësimi i lidhjeve ndërmjet vendeve të rajonit, lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve dhe thellimi i bashkëpunimit praktik.

Ambasada gjermane ka vlerësuar edhe rolin e Malit të Zi si nikoqir i samitit të këtij viti, duke theksuar se organizimi i tij në një vend që ka avancuar në negociatat për anëtarësim në BE përcjell një mesazh pozitiv për të ardhmen e rajonit.

“Mbajtja e samitit në Mal të Zi dërgon një sinjal pozitiv. Kjo nënvizon se e ardhmja e Procesit të Berlinit duhet të përcaktohet gjithnjë e më shumë së bashku me rajonin dhe brenda vetë rajonit”, ka theksuar ambasada.

Në samit, Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga Gjermania, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Samiti i 22 tetorit pritet të shërbejë si një mundësi për të diskutuar hapat e ardhshëm drejt bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Të ngjashme

Të fundit