Probleme te Bayerni, lëndohet “Topi i Artë”

- Advertisement -

Harry Kane është detyruar të largohet nga fusha në pjesën e parë të ndeshjes së Bayern Munichut ndaj Kolnit, në kuadër të Bundesligës, për shkak të një lëndimi të dyshuar në kyçin e këmbës.

Fituesi i “Topit të Artë” u rrëzua në fushë duke mbajtur dorën te kyçi i majtë i këmbës dhe, pas trajtimit nga stafi mjekësor i Bayernit, u largua nga loja në minutën e 20-të.

Ende nuk dihet shkalla e lëndimit, por fakti që Kane arriti të largohej nga fusha duke ecur konsiderohet një shenjë inkurajuese.

Problemi fizik i kapitenit të Anglisë erdhi në një moment kur Bayerni ishte në disavantazh prej 1-0, pas golit të shënuar nga Mikey Moore, i huazuar te Kolni nga Tottenhami.

Megjithatë, Bayerni reagoi dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 37-të, me anë të Nathaniel Brown, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte me shifrat 1-1.

Kane tashmë duket se i është bashkuar listës së gjatë të futbollistëve të lënduar te gjiganti gjerman, i cili aktualisht ka disa lojtarë të rëndësishëm jashtë fushave.

Luis Diaz, Alphonso Davies dhe Manuel Neuer janë të gjithë të lënduar.

Ndërkohë, edhe Serge Gnabry dhe Ismael Saibari janë jashtë skuadrës për shkak të problemeve fizike.

Tashmë, edhe sulmuesi kryesor i Bayernit mund të përballet me një periudhë të qëndrimit në dhomën e trajtimit, pas këtij momenti shqetësues.

Shqetësimet u shtuan edhe më shumë pas lëndimit të Kane, pasi edhe Michael Olise pati një problem fizik.

Francezi mori trajtim në fushë pak para përfundimit të pjesës së parë, por arriti ta vazhdonte ndeshjen në “Allianz Arena”.

Megjithatë, edhe ai u zëvendësua pas pjesës së parë, me Tim Binder që e nisi pjesën e dytë.

Trajneri Vincent Kompany e pa Kane duke u larguar nga fusha, në ndeshjen e tij të parë në vijën anësore pas një muaji mungesë.

Kompany kishte qenë larg klubit pasi ishte rrëzuar në qendrën stërvitore dhe ishte dërguar me urgjencë në spital gjatë muajit tetor.

Ai qëndroi në spital për disa ditë pas atij episodi shqetësues shëndetësor, përpara se të lirohej pas kryerjes së ekzaminimeve mjekësore.

Më pas u bë e ditur se legjenda e Manchester Cityt ishte diagnostikuar me irritim të meningjeve.

Meningjet janë membranat që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore, ndërsa irritimi i tyre mund të shkaktojë spazma të dhimbshme muskulore.

Pas kësaj, Kompany kaloi një periudhë pushimi dhe rikuperimi, përpara se të rikthehej në punë dhe tashmë edhe në bankinën e Bayernit.

Ai është parë duke mbajtur krahun në mbajtëse, pasi gjatë rrëzimit muajin e kaluar kishte pësuar edhe zhvendosje të shpatullës.

Të ngjashme

Të fundit