Një person ka humbur jetën si pasojë e një përleshjeje të ndodhur paraditen e së dielës në fshatin Kobaj të Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Klankosova.tv se rasti është raportuar rreth orës 11:50, ku dy familje, kushërinj mes vete, janë përfshirë në një konflikt fizik duke përdorur mjete të forta.
“Si pasojë e lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka humbur jetën një mashkull rreth 27 vjeç”, ka deklaruar Bytyqi.
Sipas tij, personat e dyshuar, si dhe familjarët e viktimës, janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për procedura të mëtejshme.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore, si dhe eprorët nga Stacioni Policor Prizren dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren. Policia ka ndërmarrë masa sigurie me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë së personave të përfshirë”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke zhvilluar hetime intensive për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
“Policia, në koordinim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi Bytyqi.






