Biçikleta, trotinetë e makina elektrike gjithnjë e më shumë po shihen në rrugët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë.
Ky lloj transporti ndihmon në ruajtjen e mjedisit, teksa Komuna e Prishtinës dhe kompani private ofrojnë për përdorim edhe biçikleta e trotinetë me çmime të ndryshme.
Fotoreporteri i Radios Evropa e Lirë, Bujar Tërstena ka shkrepur disa fotografi në rrugët e kryeqytetit kosovar që shfaqin përdorimin e këtij transporti alternativ.






Një qytetar duke përdorur një trotinet elektrik. Mjete të tilla transporti në kryeqendër ofrohen nga një kompani private në Kosovë, projekt që mbështetet nga Komuna e Prishtinës.
Një automjet elektrik, i një kompanie taksie, duke mbushur bateritë në një nga pikat në Prishtinë. Veturat elektrike konsumojnë mesatarisht 15 deri në 20 kWh për 100 kilometra. Kjo përkthehet në kosto dukshëm më të ulët: më pak se 1 euro për 100 kilometra nëse mbushja bëhet në shtëpi kur tarifat e energjisë janë më të ulëta apo 3-4 euro në pikat publike, sikurse kjo në foto.
Një qytetar duke kaluar zebrat me biçikletën e tij. Transporti me biçikleta, trotinetë elektrikë dhe vetura elektrike ndihmon në ruajtjen e mjedisit. Ndërkaq, ngasja e biçikletave po ashtu ofron përfitime shëndetësore.
Një person shihet duke kaluar nëpër një rrugë afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Në këtë pjesë, siç mund të vërehet edhe në fotografi, nuk ka shtigje të dedikuar për biçikleta dhe ata që përdorin këtë mjet transporti detyrohen të kalojnë nëpër rrugët e mbushura me vetura. Nga Komuna e Prishtinës nuk janë përgjigjur se sa saktësisht ka shtigje biçikletash kryeqyteti.
Një veturë elektrike, ku tregohen të dhënat se sa energji shpenzon ky mjet transportues.
Për shkak të përdorimit në rritje të trotinetëve elektrikë, është rritur edhe kërkesa për riparimin e tyre.
Një person duke marrë një nga trotinetët elektrikë të parkuar afër ndërtesës së Komunës së Prishtinës. Çdo qytetar që merr këtë mjet transporti duhet të paguajë 20 centë për zhbllokimin e tij dhe më pas 15 centë për çdo minutë që e përdor.





