Prishtina mbushet me pankarta për Marshin për Liri – qytetarë e biznese i bashkohen thirrjes së 12 shtatorit

Prishtina po merr pamjen e Marshit për Liri. Vetëm pak ditë para marshit të 12 shtatorit, nëpër pjesë të ndryshme të kryeqytetit po shtohen pankartat dhe thirrjet për pjesëmarrje, ndërsa qytetarë, biznese, lokale, kafiteri dhe restorante po bëhen vullnetarisht pjesë e mobilizimit në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në vitrinat dhe hapësirat e lokaleve të ndryshme po vendosen pankarta paralajmëruese për Marshin, me datën, orën dhe vendin e tubimit, duke e përcjellë thirrjen te mijëra qytetarë që çdo ditë kalojnë nëpër Prishtinë.

- Advertisement -

Mbështetja po vjen nga njerëz dhe biznese të profileve të ndryshme, të cilët po i hapin dyert dhe hapësirat e tyre për mesazhin e Marshit, duke dëshmuar se 12 shtatori po shndërrohet në një mobilizim që tejkalon çdo organizim të vetëm.

Nga qendra e Prishtinës deri në lagjet e saj, pankartat po bartin të njëjtën thirrje: më 12 shtator, qytetarët bashkohen në mbështetje të çlirimtarëve.

Përmes këtij solidarizimi, qytetarët dhe bizneset po bëhen vetë pjesë e organizimit dhe e përhapjes së mesazhit, në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Marshi për Liri do të mbahet të shtunën, më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nën organizimin e platformës qytetare “Liria Ka Emër”.

Në ditët e fundit para marshit, thirrja po bëhet gjithnjë e më e dukshme në kryeqytet: në rrugë, në lokale, në biznese dhe në hapësira të frekuentuara nga qytetarët.

Prishtina po bëhet pjesë e thirrjes. Prishtina po mobilizohet.

Më 12 shtator, në ora 14:00, takohemi në sheshin “Skënderbeu”.

Për Hashim Thaçin. Për Kadri Veselin. Për Jakup Krasniqin. Për Rexhep Selimin.

Për çlirimtarët. Për liri.

Të ngjashme

Të fundit