Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në një konferencë të përbashkët për media kanë prezantuar skemën e re të shtesave për fëmijë deri në moshën 16 vjet, e cila do të fillojë zbatimin nga muaji i ardhshëm, gusht 2024.
Me skemën e re, për fëmijën e parë dhe të dytë, shtesat e reja do të jenë nga 20€ në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë tre fëmijë e më shumë, shtesat do të jenë nga 30€ në muaj, për secilin prej fëmijëve – pra edhe për të parin edhe të dytin vlen shtesa 30€ në muaj.
Nga skema e shtesave për fëmijë, përfitojnë mbi 400 mijë fëmijë. Kosto vjetore e skemës së re parashihet të jetë 120 milionë €
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën për media:
Të nderuara media,
Të dashur qytetarë që po na ndiqni,
Kur e morëm qeverisjen pas rezultatit të 14 shkurtit 2021, kishim trashëguar një situatë të rënduar buxhetore, me borxhe të shumta, me ekonomi buzë kolapsit, e pa asnjë vaksinë të vetme për të luftuar pandeminë Covid 19.
Për të adresuar këto sfida që kishim para nesh, saktësisht 3 vite më herët në muajin korrik të vitit 2021, Qeveria jonë pati miratuar Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Dhe, njëra ndër masat e para të zbatuara nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, ishte masa e shtesave për fëmijë.
Për çdo palë zgjedhje në fushatat e kaluara, ka pasur parti politike që premtonin programe e masa mbështetëse për nënat dhe fëmijët, mirëpo ato premtime asnjëherë nuk u patën realizuar. Për mëse 20 vite, asnjë qeveri nuk kishte marrë mundin të bënte diçka për nënat dhe fëmijët. Nisur nga praktika e tyre, edhe neve na thonin që s’do të mund të realizonim premtimet për shtesat për fëmijë, sepse nuk do të kishte buxhet.
Por ja që u desh të vinte një Qeveri si kjo e jona, progresiste, demokratike e që ka në qendër mirëqenien e secilit qytetar, që më në fund edhe nënat dhe fëmijët të ndjejnë dorën e mirë të shtetit.
Fillimisht, shtesat i nisëm me moshat 0-2 vjeç, sepse kaq ishin mundësitë në muajt e parë të qeverisjes, dhe sepse ishte hera e parë që po bëhej një masë e tillë, e duhej siguruar që gjithçka do të shkonte mbarë e pa probleme.
U siguruam edhe që çdo gjë të ishte digjitale dhe automatike, duke e ditur që nënat me fëmijë të vegjël nuk kanë kohë të bredhin poshtë e lart për të nxjerrë certifikata të lindjes, kopje të letërnjoftimeve, e vërtetime të llogarive bankare, siç rëndom ishte praktika sa herë që qytetari kishte punë me shtetin. Me sistemin që e krijuam, gjithçka mund të bëhej për pak minuta, nga kompjuteri ose telefoni, pa dalur fare nga shtëpia.
Edhe për një gjë tjetër insistuam. Që mjetet e shtesave të fëmijëve duhej t’i takonin nënës. Sepse përveçse mbështetjen e fëmijëve, si Qeveri e kemi synim edhe fuqizimin ekonomik të gruas në shoqëri. Si rezultat i këtij përcaktimi, rezultoi që mbi 90 mijë gra të hapnin llogari bankare për herë të parë. Kjo ishte edhe një dëshmi më shumë se kishim bërë gjënë e duhur.
Me të siguruar mjetet financiare duke e rritur ekonominë e vendit dhe duke shtuar të hyrat buxhetore dhe me të parë se sistemi që kishim ndërtuar po funksiononte pa problem, gradualisht i zgjeruam grup moshat deri në moshën 16 vjeçare, ashtu siç edhe kishim premtuar, duke realizuar kësisoj njërin prej zotimeve kryesore të programit tonë, ende pa u bërë gjysma e mandatit.
Tani, 3 vite pas, dhe në vitin e katërt të qeverisjes, kemi edhe një lajm tjetër të mirë për nënat dhe fëmijët!
Skemën e shtesave për fëmijë po e sjellim të ridizajnuar, dhe me rritje të shtesave, të cilat po i dyfishojmë për shumicën e nënave, e në disa raste edhe trefishojmë kur nëna ka tre fëmijë apo më shumë.
Pra, për fëmijën e parë dhe të dytë, shtesat e reja do të jenë nga 20 euro në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë 3 fëmijë e më shumë, shtesat do të jenë nga 30 euro në muaj, për secilin prej fëmijëve, pra edhe për të parin edhe të dytin vlen shtesa 30 euro në muaj.
Me fjalë tjera, një nënë me një fëmijë merr 20 euro në muaj, një nënë me 2 fëmijë merr 40 euro në muaj, ndërkaq një nënë me 3 fëmijë merr 90 euro në muaj. Për çdo fëmijë pas të tretit, vlen shtesa e njëjtë prej 30 euro në muaj.
Të dashur qytetarë, të dashura nëna, të dashur fëmijë Qeveria jonë është e përkushtuar për të mbështetur familjet, dhe për t’u siguruar se secili fëmijë e ndjen dorën e mirë të shtetit. Një premtim për shtesa nga 10 euro në muaj, për të cilin na patën thënë që s’do ta arrijmë ta realizojmë asnjëherë, ende pa e përfunduar mandatin, jo vetëm që po e tejkalojmë, por po e shumëfishojmë.
Gjithë të mirat e i paçi me shëndet të mirë e jetë të gjatë fëmijët tuaj!
Tani ia kaloj fjalën edhe ministrit Murati, për të na dhënë më shumë sqarime në lidhje me skemën e re të shtesave të rritura.