Presidentja Shiroka Pula reagon për vrasjen në Pejë: Të hetohet edhe përgjegjësia institucionale

- Advertisement -

Presidentja e Kosovës, Shiroka Pula, është shprehur e tronditur nga vrasja e një gruaje në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për rastin.

Në reagimin e saj, presidentja kërkoi nga organet kompetente që, përveç rrethanave të vrasjes dhe përgjegjësisë penale të personave të dyshuar, të hetojnë edhe mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e viktimës dhe veprimet e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin.

“Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, thuhet në reagimin e presidentes.

Shiroka Pula u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që të gjitha rrethanat e rastit të zbardhen dhe drejtësia të vihet në vend.

Ajo gjithashtu theksoi se asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit.

“Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, theksoi presidentja.

 

Në fund, ajo shprehu ngushëllime për familjen e viktimës dhe të afërmit e saj, duke nënvizuar se mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm

Të ngjashme

Të fundit