0.5 C
New York
Sunday, February 25, 2024

Buy now

Presidentja e Tajvanit: Shanse të vogla për një sulm në shkallë të gjerë nga Kina

Kina aktualisht nuk ka të ngjarë të nis një sulm në shkallë të gjerë ndaj Tajvani për shkak të sfidave të brendshme, tha Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen të mërkurën. Megjithatë, Kina po përpiqet të ndikojë tek zgjedhjet në Tajvan, shtoi ajo.

“Mendoj se udhëheqja e Kinës në këtë kohë është e mbingarkuar me problemet e saj të brendshme”, tha zonja Tsai në takimin “DealBook” të gazetës New York Times.

“Mendoj se tani ndoshta nuk është koha e përshtatshme për ata që të shqyrtojnë mundësinë e një sulmi në shkallë të gjerë ndaj Tajvanit”, tha ajo në një intervistë të regjistruar më parë.

Zonja Tsai i bëri komentet në përgjigje të një pyetje rreth rrezikut të një sulmi kinez ndaj Tajvanit, pas takimit të Presidentit amerikan Joe Biden me homologun e tij kinez Xi Jinping në Kaliforni muajin e kaluar.

Bisedimet mes dy udhëheqësve, të cilët po merrnin pjesë në takimin e organizatës së Bashkëpunimti Ekonomik të Azi-Paqësorit, kishin për qëllim të parandalonin rritjen e tensioneve dhe kalimin e tyre në një konflikt mes dy vendeve.

Por, presidentët Xi dhe Biden mbeten me qëndrime të kundërta për tensionet rreth Tajvanit. Udhëheqësi kinez Xi i tha homologut të tij amerikan në takim se ribashkimi i Tajvanit me Kinën është “i pandalshëm”.

Kina e konsideron Tajvanin demokratik si territor të saj, që një ditë mund të merret edhe me forcë, nëse është e nevojshme.

Megjithatë, për momentin, Pekini po përballet me sfida të brendshme ekonomike, financiare dhe politike, tha zonja Tsai.

Edhe komuniteti ndërkombëtar e ka bërë të qartë se lufta nuk është një alternativë, shtoi ajo.

Por Kina ende është “e interesuar të ndërhyjë” në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Tajvanit, tha zonja Tsai, duke shtuar se Pekini është duke bërë përpjekje për të ndikuar në rezultatin e tyre.

“Në të gjitha zgjedhjet e rëndësishme në Tajvan që nga viti 1996, ka pasur operacione të ngjashme ndikimi nga Kina”, tha Presidentja Tsai, duke theksuar se ato janë shoqëruar edhe me kërcënime ushtarake dhe trysni ekonomike.

Në vend se të shpresoj që Pekini t’i jap fund këtyre taktikave, Tajvani duhet të “përqendrohet në fuqizimin e demokracisë në vend”, theksoi ajo.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Tajvan do të mbahen në janar. Presidentja Tsai është në fund të mandatit të dytë dhe në bazë të kushtetutës së Tajvanit ajo nuk do të ketë të drejtë të garojë për një mandat tjetër./VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit