Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, është takuar me kryeministrin e Hungarisë, Peter Magyar, teksa ka marrë pjesë në shfaqjen solemne për 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez
“Pas takimit, Presidentja Shiroka Pula mori pjesë në shfaqjen solemne në Teatrin e Operës, të organizuar për nder të 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956, me interpretime muzikore dhe artistike nga artistë dhe ansamble hungareze”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Më herët gjatë ditës, Shiroka-Pula është pritur në takim edhe nga presidenti i Hungarisë, Andras Baka.
“Presidentja Shiroka-Pula vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se Hungaria ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008. Ajo shprehu interesimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh”, thuhet në njoftim për takimin me Bakan.
Në këtë kontekst, Shiroka-Pula theksoi rëndësinë e identifikimit të fushave të reja të bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi, arsim dhe mbrojtje.
“Duke folur për integrimin evropian, Presidentja Shiroka Pula theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Kosovës, ndaj kërkoi mbështetjen e Hungarisë për avancimin e vendit drejt statusit të kandidatit për anëtarësim dhe hapave të mëtejshëm të procesit integrues. Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për kontributin e Hungarisë në misionin e KFOR-it, në Kosovë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij kontributi për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit. Në fund të takimit Presidentja Shiroka Pula ftoi Presidentin Baka për vizitë në Kosovë në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, vijon njoftimi.






