Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka realizuar sot takimin e saj të parë jashtl shtetetit ku është pritur në takim nga presidenti i Hungarisë, András Baka, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Sipas njoftimit, Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se ky shtet ishte ndër të parët që e njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008.
Ajo ka shprehur interesimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në ekonomi, arsim dhe mbrojtje.
Gjatë takimit, presidentja e Kosovës ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i vendit. Në këtë drejtim, ajo ka kërkuar mbështetjen e Hungarisë për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe për hapat e mëtejshëm të procesit integrues.
Shiroka Pula ka shprehur gjithashtu mirënjohje për kontributin e Hungarisë në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke vlerësuar rëndësinë e tij për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Në përfundim të takimit, presidentja e Kosovës e ka ftuar homologun hungarez, András Baka, për një vizitë në Kosovë, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët.






