Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, e vuri veton të shtunën të ashtuquajturit “ligji rus” që vë në shënjestër median dhe ka shkaktuar protesta masive për javë me radhë.
Nëse hyn në fuqi, mediave dhe OJQ-ve që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë, do t’u kërkohej që të regjistrohen si agjentë të huaj e që “u shërbejnë interesave të një fuqie të huaj”.
Kritikët e projektligjit, të miratuar nga parlamenti të martën, thonë se ka shumë ngjashmëri me ligjet e përdorura nga Kremlini për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve dhe se do të pengojë aspiratat evropiane të Gjeorgjisë.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, tha të shtunën se ligji bie ndesh me Kushtetutën dhe “të gjitha standardet evropiane” dhe shtoi se “duhet të shfuqizohet”, veprim që nxjerr në pah dallimet e saj me partinë në pushtet.
Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka një shumicë të mjaftueshme për të rrëzuar veton e Presidentes Zourabichvili dhe pritet gjerësisht që ta bëjë këtë lëvizje gjatë ditëve të ardhshme.
Qeveria gjeorgjiane këmbëngul se ligji është në mbështetje të transparencës dhe synon të frenojë atë që e quan ndikim të huaj dhe të dëmshëm në vendin prej 3.7 milionë banorësh.
Shumë gazetarë dhe aktivistë gjeorgjianë e kundërshtojnë ashpër këtë karakterizim, duke thënë se aktualisht ata janë subjekt i kërkesave për kontroll dhe monitorim.
Ata argumentojnë se qëllimi i vërtetë i ligjit është që t’i stigmatizojë ata dhe të kufizojë debatin përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara të mbahen në tetor.
Dhjetorin e kaluar Bashkimi Evropian i ofroi Gjeorgjisë statusin e vendit kandidatit, ndërsa e ka bërë të qartë se Tbilisi duhet të zbatojë rekomandimet e bllokut në mënyrë që të bëjë përparime në këtë drejtim.
Mes rekomandimeve përfshihet edhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta, duke luftuar dezinformimin “kundër BE-së dhe vlerave të saj”. Blloku i ka kërkuar Gjeorgjisë që ruajë pavarësinë e institucioneve publike si Banka Qendrore si dhe organeve kundër korrupsionit.
Opozita “Lëvizja e Bashkuar Kombëtare” dhe shumë protestues e akuzojnë partinë në pushtet “Ëndrrën Gjeorgjiane” se po përpiqet të pengojë procesin e integrimit të vendit në BE dhe se nga ana tjetër po e nxit Gjeorgjinë drejt sferës së influencës ruse, pohime që janë hedhur poshtë nga qeveria.
Partia “Ëndrra Gjeorgjiane” u themelua nga Bidzina Ivanishvili, ish-kryeministër dhe miliarder që e bëri pasurinë e tij në Rusi. Ligji është pothuajse identik me një projektligj që partia në pushtet u detyrua të tërhiqte vitin e kaluar pas protestave.
Demonstratat përfshirë Gjeorgjinë për javë të tëra, ndërsa protestuesit u përleshën me policinë e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe pompa me ujë me presion të lartë për t’i shpërndarë ata.
Në fillim të muajit, një ligjvënës i opozitës që foli në Parlament e kishte kokën e lidhur me fashë, ku shquheshin mavijosje dhe prerje të dukshme. Aleatët e tij thanë se ai ishte sulmuar nga policia gjatë protestave.
Zyrtarët e BE-së dhe udhëheqësit perëndimorë kanë shprehur vazhdimisht shqetësimet e tyre lidhur me projektligjin, si dhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve.
Më 8 gusht të vitit 2008 Rusia sulmoi Gjeorgjinë, në atë që njihet si lufta pesë ditore, në mbështetje të territoreve separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, që Moska i njohu si shtete të pavarura.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjeorgjisë kanë qenë të tensionuara që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe shpallja e pavarësisë nga Gjeorgjia. /VoA/