Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka uruar FC Vushtrrinë për shpalljen kampione në Raiffeisen Ligën e Parë dhe rikthimin në Superligën e Kosovës pas gjashtë vjetësh mungesë.
Ai e cilësoi këtë sukses si të merituar, duke theksuar se sezoni ishte tejet dramatik dhe i luftuar deri në fund, ndërsa fitorja 3:1 ndaj Vëllaznimit në Gjakovë vulosi titullin dhe rikthimin në elitën e futbollit kosovar.
Ademi vlerësoi traditën dhe rëndësinë e FC Vushtrrisë në futbollin kosovar, duke shtuar se rikthimi i klubit do t’i japë më shumë rivalitet dhe cilësi Superligës. Ai uroi gjithashtu futbollistët, stafin, drejtuesit e klubit, tifogrupin “Forca” dhe qytetarët e Vushtrrisë për këtë arritje, ndërsa shprehu mirënjohje edhe për KF Vëllaznimin dhe tifozët e tyre për sportivitetin e treguar.
Postimi i plotë:
Urime FC Vushtrria për titullin kampion në Ligën e Parë dhe rikthimin në Superligë ! 🏆⚽🇽🇰👏
Përgëzime për FC Vushtrria për titullin e kampionit në Raiffeisen Ligën e Parë dhe për rikthimin e merituar në elitën e futbollit kosovar pas plot gjashtë vjetësh.
Ky sukses erdhi pas një edicioni jashtëzakonisht interesant, dramatik dhe të luftuar deri në fund, ku gjithçka rreth titullit dhe rikthimit në Superligë u vendos në ndeshjen e fundit. Fitorja ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, me rezultat 3:1, vulosi një sezon të paharrueshëm për klubin vushtrrias.
FC Vushtrria është një emër me traditë dhe peshë në futbollin tonë, andaj rikthimi i saj në Superligë i jep edhe më shumë vlerë, rivalitet dhe cilësi garës në elitë.
Urime të përzemërta për futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit, tifogrupin “Forca” dhe të gjithë qytetarët e Vushtrrisë për këtë arritje të madhe.
Mirënjohje edhe për KF Vëllaznimin dhe tifozët “Kuqezinjtë e Jakovës” për organizimin korrekt të kësaj ndeshjeje vendimtare dhe për sportivitetin e treguar.
Urojmë që edhe klubi gjakovar shumë shpejt ta përmbushë objektivin e tij dhe pritjet e mëdha të tifozëve për rikthim në elitë.





