Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në selinë e FFK-së futbollistin e talentuar të Akademisë së Hertha BSC, Leonis Elezaj, 11 vjeç, i cili shoqërohej nga babai i tij dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Gjatë vizitës, e realizuar në kuadër të pushimeve të familjes në Kosovë, u bisedua për rrugëtimin sportiv të Leonisit, i cili po zhvillohet në një nga akademitë më të njohura të futbollit gjerman. Ademi vlerësoi talentin, disiplinën dhe përkushtimin e tij, duke shprehur besimin se e pret një e ardhme premtuese në futboll.
Presidenti i FFK-së theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së lidhjes së futbollistëve të rinj me Kosovën, duke vlerësuar rolin e prindërve në kultivimin e ndjenjës së identitetit dhe përkatësisë.
Në fund, Ademi i uroi Leonis Elezajt shëndet, suksese dhe një karrierë sa më të suksesshme, duke shprehur bindjen se ai do të vazhdojë ta bëjë krenare Kosovën me punën dhe përkushtimin e tij.






