Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se në Gjilan do të realizohen tri projekte të reja infrastrukturore, në kuadër të përmirësimit të kushteve për zhvillimin e futbollit, raporton Scanner.
Pas përfundimit të projektit të ndriçimit në stadiumin ndihmës të qytetit, ku ndeshjet i zhvillojnë Drita dhe Gjilani, si dhe klubet e shkollat e futbollit të këtij regjioni, investimet do të vazhdojnë me vendosjen e tapetit të ri sintetik në këtë stadium.
Dy projektet e tjera përfshijnë vendosjen e tapetit në fushën sportive në Zabelin e Sahit Agës dhe shtrimin me bari natyral të fushës në Kampin e FC Drita.
Ademi ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit synohet edhe ndërtimi i fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave, me qëllim që fëmijët dhe të rinjtë të kenë më shumë hapësira për aktivitete sportive.
Ai ka theksuar se investimet në infrastrukturë janë investime në të ardhmen e futbollit, duke shprehur përkushtimin që projektet të realizohen në bashkëpunim me klubet, komunën dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit.
Postimi i plotë:
🏟️ Investimet në futboll në Gjilan i vazhdojmë me tri projekte të reja
Pas realizimit të projektit të ndriçimit në stadiumin ndihmës të qytetit në Gjilan, ku aktualisht i zhvillojnë ndeshjet, Drita dhe Gjilani, si dhe klubet dhe shkollat e futbollit të këtii regjioni, po vazhdojmë me tri investime të reja në përmirësimin e kushteve për futbollistët, klubet dhe të rinjtë e këtij regjioni.
Në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, do të realizojmë vendosjen e tapetit të ri sintetik në stadiumin ndihmës, pastaj vendosjen e tapetit në fushën sportive në Zabelin e Sahit Agës, si dhe shtrimin me bari natyral të fushës në Kampin e FC Drita.
Krahas këtyre projekteve, synojmë edhe ndërtimin e fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave, në mënyrë që sa më shumë fëmijë e të rinj të kenë hapësira për të luajtur futboll.
Ne besojmë fuqishëm se investimi në infrastrukturë është investim në të ardhmen e futbollit, andaj qyteti i Gjilanit dhe i gjithë ky regjion meritojnë kushte më të mira për zhvillimin e këtij sporti.
Bashkë me klubet, komunën dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit, do të vazhdojmë të punojmë që projektet të tilla të marrin jetë dhe futbolli të ketë edhe më shumë mundësi zhvillimi.
#MeFutbollinPërKosovën ⚽️ 🇽🇰






