Prishtinë, 9 nëntor, 2023

E nderuar Familje Berisha!

Të nderuar drejtues dhe staf i FC Malisheva!

Me pikëllim të madh e morëm lajmin për vdekjen tragjike të më të dashurit tuaj, futbollistit të grupmoshave të reja të FC Malisheva, Drinor Berisha.

Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen tonë për humbjen e një djaloshi të ri dhe të talentuar sikur Drinori.

Ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit në komunitetin e futbollit dhe ndali në lule të rinisë ëndrrat e tij.

Drinori ishte një djalë i talentuar që ndriçoi rrugën e futbollit me pasionin dhe aftësitë e tij.

Në këto momente të vështira jemi pranë familjes Berisha, me shpresë që kujtimet e bukura dhe sukseset e Drinorit do të jenë burim ngushëllimi dhe force për ta përballuar këtë dhimbje të madhe.

Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit ju dërgojmë ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta.

U prehtë në paqe shpirti i tij dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për Drinorin!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së