Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në selinë e FFK-së Enver Nuredinin, anëtar të Kryesisë së parë të Federatës, i cili jeton dhe vepron në Angli.
Gjatë takimit, ata diskutuan për sfidat e viteve të para të organizimit të futbollit në Kosovë, përkushtimin e brezit themelues dhe rrugëtimin e FFK-së deri në sukseset që gëzon sot në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Sipas Ademit, rrëfimet e atyre që hodhën themelet e futbollit të pavarur të Kosovës mbeten burim frymëzimi për brezat e rinj dhe dëshmi e sakrificës që e shoqëroi këtë proces.
Nga ana e tij, Enver Nuredini përgëzoi drejtuesit e FFK-së për progresin e arritur ndër vite, duke vlerësuar zhvillimin institucional të Federatës dhe rezultatet e futbollit kosovar në skenën ndërkombëtare.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në historinë e futbollit të Kosovës, presidenti Ademi i dhuroi Nuredinit një fanellë kujtimi të FFK-së, ndërsa theksoi se dyert e Federatës do të mbeten gjithmonë të hapura për njerëzit që kanë dhënë kontribut në ndërtimin e saj.






