Presidenti Ademi kujton Fadil Vokrrin në ditëlindjen e tij: Përjetësisht Legjendë

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar me emocion legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, në ditën e lindjes së tij, duke e cilësuar si një figurë të pavdekshme në historinë e sportit dhe të shtetndërtimit të futbollit të Kosovës.

Ademi theksoi se Vokrri nuk ishte vetëm një futbollist i jashtëzakonshëm, por edhe një udhëheqës vizionar që e shihte futbollin si mision dhe si mënyrë për ta ngritur emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ai kujtoi bashkëpunimin me Vokrrin në rrugëtimin drejt pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA, duke vlerësuar se trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe çdo hap të futbollit kosovar.

“Nuk është vetëm një kujtim. Ai është një frymëzim. Është pjesë e çdo hapi që bën futbolli ynë drejt së ardhmes”, ka shkruar Ademi, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Përjetësisht Legjendë!”

Postimi i plotë:

Fadil Vokrri, një emër që nuk harrohet kurrë!

Ka njerëz që largohen nga kjo botë, por nuk largohen asnjëherë nga zemrat dhe mendjet e njerëzve. I tillë është legjenda jonë, Fadil Vokrri.

Sot, në ditën e lindjes së tij, kujtojmë jo vetëm një futbollist të jashtëzakonshëm, por një figurë që mishëroi ëndrrën, krenarinë dhe rrugëtimin e futbollit të Kosovës.

Fadili ishte nga ata njerëz që nuk e shihnin futbollin vetëm si lojë. Për të, futbolli ishte mision, ishte dashuri, ishte një mënyrë për ta ngritur emrin e Kosovës aty ku e meritonte.

Nga fushat ku shkroi historinë si lojtar, deri te udhëheqja e FFK-së në periudhën më të rëndësishme të saj, ai la pas një trashëgimi që nuk matet vetëm me rezultate, por me ndikimin që pati te mijëra njerëz.

Së bashku ndamë sfida, besim dhe një qëllim të përbashkët: ta shihnim futbollin e Kosovës të pranuar në familjen e madhe të futbollit botëror.

Sot, kur stadiumi i kryeqytetit mban emrin e tij me krenari dhe breza të tërë rriten duke dëgjuar për karrierën e tij, kuptojmë edhe më shumë madhështinë e asaj që la pas.

Fadil Vokrri nuk është vetëm një kujtim. Ai është një frymëzim. Është pjesë e çdo hapi që bën futbolli ynë drejt së ardhmes.

Përjetësisht Legjendë!

Të ngjashme

Të fundit