Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vizituar sot rajonin e Mitrovica, ku ka zhvilluar diskutime për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në këtë zonë me traditë të madhe sportive.
Gjatë kësaj vizite, ai ka zhvilluar edhe takimin e parë me kryetarin e ri të komunës, Faton Peci, me të cilin kanë diskutuar për nevojat konkrete dhe mundësitë për investime në ndërtimin e fushave të reja të futbollit. Sipas tij, Mitrovica vazhdon të përballet me mungesë të theksuar të fushave sportive.
“U dakorduam që të ndërmarrim hapa konkretë për të ecur përpara. Kërkova nga komuna që sa më parë të identifikojë dhe të ofrojë parcelat e nevojshme për realizimin e projekteve, ndërsa ne si Federatë jemi gjithmonë të gatshëm të kontribuojmë. Me kapacitetet tona, e kemi dëshmuar tashmë se një fushë futbolli mund ta ndërtojmë brenda 30 ditësh”, ka deklaruar Ademi.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për ndërhyrjet e nevojshme në stadiumin “Riza Lushta” dhe ndërtimin e një fushe stërvitore.
Po ashtu, Ademi ka theksuar nevojën për përfundimin sa më të shpejtë të punimeve në stadiumin “Adem Jashari”, i cili është në proces rinovimi prej vitesh si projekt i Ministrisë së Sportit. Ai ka kërkuar që stadiumi të finalizohet dhe të licencohet nga UEFA si stadium i kategorisë së katërt, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të detyrojë zhvillimin e ndeshjeve jashtë vendit, për shkak të mungesës së kapaciteteve adekuate në vend.
Vizita në Mitrovicë ka vazhduar edhe në objektin sportiv “Fatime Xhaka”, ku është arritur marrëveshje që ky objekt të kalojë në shfrytëzim të Federatës së Futbollit të Kosovës. Sipas tij, qëllimi është riorganizimi dhe rinovimi i këtij objekti për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në këtë rajon.
Në këtë hapësirë do të vendoset selia e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Mitrovicës, ndërsa fusha ekzistuese do të rinovohet për nevojat e grupmoshave të reja.
Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e futbollit në të gjitha rajonet e vendit. ⚽🇽🇰
Postimi i plotë:
Sot pata kënaqësinë të vizitoj regjionin e Mitrovicës, me fokus të veçantë në diskutimet për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në këtë zonë me traditë të madhe sportive.
Gjatë kësaj vizite zhvillova edhe takimin e parë me kryetarin e ri të komunës, Faton Peci, me të cilin diskutuam për nevojat konkrete dhe mundësitë për investime në ndërtimin e fushave të reja të futbollit, duke pasur parasysh se Mitrovica vazhdon të ketë mungesë të fushave të futbollit.
Prandaj, u dakorduam që të ndërmarrim hapa konkretë për të ecur përpara. Me këtë rast kërkova nga komuna që sa më parë të identifikojë dhe të ofrojë parcelat e nevojshme për realizimin e projekteve të ndërtimit të fushave, ndërsa ne si Federatë jemi gjithmonë të gatshëm të kontribuojmë. Me kapacitetet tona, e kemi dëshmuar tashmë që një fushë futbolli mund ta ndërtojmë brenda 30 ditësh.
Diskutuam edhe për ndërhyrjet e nevojshme në stadiumin “Riza Lushta” dhe ndërtimin e një fushe stërvitore. Po ashtu shprehëm nevojën që punimet në stadiumin “Adem Jashari”, i cili është në proces të rinovimit tash e sa vite si projekt i Ministrisë së Sportit, të finalizohen sa më shpejtë dhe të licencohet nga UEFA si stadium i kategorisë së katërt. Me këtë rast kërkoj nga Ministria e Sportit dhe të gjithë të përfshirët në këtë projekt që mos të ketë neglizhencë, pasi çdo vonesë mund të na rrezikojë që të detyrohemi të zhvendosemi jashtë vendit, duke pasur parasysh se ende jemi duke operuar vetëm me një stadium për garat evropiane të klubeve dhe të ekipeve kombëtare.
Vizitën në Mitrovicë e vazhdova edhe në objektin sportiv “Fatime Xhaka”, ku më herët ka vepruar LRF e Mitrovicës. U dakorduam që ky objekt të kalojë në shfrytëzim të Federatës së Futbollit të Kosovës, me qëllim riorganizimin dhe rinovimin e tij në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të futbollit në këtë regjion. Në këtë objekt do ta ketë selinë Lidhja Rajonale e Futbollit të Mitrovicës, derisa fusha që gjendet aty do të rinovohet dhe do t’u shërbejë grupmoshave të reja.
Si FFK do të vazhdojmë me përkushtim të plotë për të krijuar kushte sa më të mira për futbollin në çdo pjesë të Kosovës. ⚽🇽🇰






