Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media pas takimit me partitë politike, është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Duke u përgjigjur në pyetjen për përbërjen e KQZ-së, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se është në trajtim të kësaj çështjeje dhe do të veproj në përputhje me përgjegjësitë.
“Të jeni të sigurt që me 10 anëtarë në KQZ asgjë nuk rrezikohet, as certifikimi i partive, as certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe asgjë tjetër”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Në vijim gjeni të plotë përgjigjen e U.D. Presidentes Haxhiu, në pyetjen shtruar lidhur me këtë çështje:
“Siç jeni në dijeni përbërja e KQZ-së është prej 11 anëtarëve, përfshirë edhe kryesuesin që vjen nga radhët e Gjykatës Supreme. Për momentin janë 10 anëtarë sepse edhe një nuk është emëruar ende. Unë jam interesuar në qoftë se kjo përbën problem për KQZ-në, dje dëgjova që thanë se do të kontestohet procesi zgjedhor e kështu me radhë për shkak të një anëtari, por unë ju kam njoftuar se i kam dy kërkesa: kërkesën e PDK-së dhe atë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të emëruar anëtarët e tyre, anëtarin e fundit në këtë komision. Për këtë çështje kam pasur mendim edhe më herët, fuqia politike, proporcionaliteti dhe përfaqësimi janë parime që nuk duhet t’i mohoj askush. Duke qenë se tashmë kanë kaluar të gjitha afatet, mendoj se një proces kushtetues i nisur nga Presidentja Osmani-Sadriu është dashur të përmbyllet nga vetë ajo por kjo nuk ka ndodhur dhe tani të gjitha afatet kanë kaluar. Jam në trajtim të kësaj çështje dhe do të veproj në përputhje me përgjegjësitë, por të jeni të sigurt që me 10 anëtarë në KQZ asgjë nuk rrezikohet, as certifikimi i partive, as certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe asgjë tjetër”.






