Pozicioni i VV-së, Çollaku: Ky qëndrim s’ofron alternativë, është rrugë për zgjedhje të reja

- Advertisement -

Opinionisti Bekim Çollaku, ka vlerësuar se qëndrimet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ofrojnë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik, por e orientojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Çollaku tha se qasja e LVV-së nuk reflekton ndonjë gatishmëri për kompromis.

“Qëndrimi është i qartë, ndërtimi i një udhërrëfyesi për zgjedhje të jashtëzakonshme. Këto qëndrime qartazi nuk japin asnjë lloj alternative, asnjë lloj pragmatizmi, asnjë shenjë reflektimi e as racionalizëm në qëndrimet e tyre. Thjesht tregojnë se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme janë rruga e vetme”, deklaroi Çollaku në Rubikon.

Ai tha se qytetarët nuk dëshirojnë përsëritjen e zgjedhjeve, duke kujtuar se, sipas tij, në zgjedhjet e fundit është vërejtur abstenim i votuesve si shenjë zhgënjimi nga bllokada më shumë se 18-mujore për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme.

Çollaku theksoi se qëndrimet e shprehura nga Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci nuk mund të konsiderohen përfundimtare pa u deklaruar kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

“Pa e pasur një qëndrim të Albin Kurtit nuk mund të themi që qëndrimi që dhanë Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci janë përfundimtare. Sepse ne e dimë që në Vetëvendosje vendos një njeri i vetëm dhe ai është Kurti. Duhet të kemi edhe pak durim dhe të presim qëndrimin e tij”, tha më tej Çollaku.

Të ngjashme

Të fundit