Analisti Xhevdet Pozhari ka komentuar rezultatin e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e fundit, duke vlerësuar se ajo ka pësuar rënie të dukshme në mbështetje krahasuar me figurat e tjera politike.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Pozhari tha se përqindja e votave të fituara nga Osmani është dukshëm më e ulët krahasuar me liderët e tjerë politikë.
“Po i dëgjoja shqetësimet e z. Meta, por unë hyra t’i shikoj përqindjet. Deri tani, Vjosa Osmani ka rreth 68 për qind të votave, ndërsa Albin Kurti ka mbi 85 për qind dhe Bedri Hamza afro 81 për qind. Për zonjën Osmani, 68 për qind është një rënie e madhe”, tha Pozhari.
Ai shtoi se ky rezultat mund të ngrejë pikëpyetje edhe për mbështetjen që Osmani ka pasur brenda strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kjo më shtyn të dyshoj se edhe brenda organizimit të LDK-së mund të ketë pasur një lloj bojkoti ndaj zonjës Osmani. Duhet pasur parasysh se nuk është larg viti 2021, kur ajo konsiderohej nga disa si përgjegjëse për rënien e LDK-së”, u shpreh ai.
Sipas Pozharit, Osmani nuk arriti të distancohej mjaftueshëm politikisht për të ndërtuar një profil më të qartë opozitar.
“Ajo nuk arriti të shkëputej plotësisht për të luajtur rolin e një opozitareje të denjë. Ata që hyjnë në politikë dhe duan të zhvillojnë beteja politike duhet të investohen dhe të mbajnë qëndrime të qarta që herët, e jo vetëm në momentet e fundit me deklarime kontradiktore në emisione të ndryshme”, deklaroi Pozhari.
Në fund, ai vlerësoi se dëmin më të madh nga ky rezultat e ka pësuar vetë Osmani.
“Mua më vjen keq për zonjën Osmani, sepse LDK-ja nuk kishte shumë çfarë të humbiste. Siç u tha edhe më herët, partia mund të kishte qenë edhe në një përqindje më të ulët. Në këtë rast, mendoj se ka humbur Vjosa Osmani”, tha Pozhari.






