Dhjetëra mijëra qytetarë dolën të shtunën në rrugët e Lisbonës, Portos, Koimbrës dhe qyteteve të tjera të Portugalisë, për të kërkuar banesa me çmime të përballueshme dhe masa konkrete për të frenuar rritjen e kostos së jetesës.
Në Lisbonë, mijëra protestues u mblodhën në qendër të qytetit, ku ngritën tenda dhe mbanin pankarta me thirrje për miratimin e ligjeve që do të ndalonin fondet e investimeve imobiliare, të cilat i akuzojnë për nxitjen e spekulimeve dhe rritjen e çmimeve të pronave, raportoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua.
Një pjesë e pankartave lidhej edhe me një operacion policor të zhvilluar në orët e para të së enjtes në Porto, gjatë të cilit policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit që kundërshtonin krizën e banimit.
Sipas raportimeve të mediave lokale, 37 protestues u lënduan gjatë ndërhyrjes, dy prej tyre me lëndime të rënda.
Mesazhet e protestuesve përfshinin edhe thirrjen “Mos na thyeni kokat, na siguroni banesa”, duke kundërshtuar mënyrën e ndërhyrjes policore dhe duke kërkuar zgjidhje për krizën e strehimit.
Ndërkohë, presidenti i Portugalisë, Antonio Jose Seguro, paralajmëroi të shtunën se varfëria nuk mund të konsiderohet një gjendje e pashmangshme në një shoqëri demokratike.
Në një mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Seguro bëri të ditur se rreth 1.66 milion persona në Portugali vazhdojnë të jenë në rrezik nga varfëria. Megjithatë, sipas tij, kjo shifër ka rënë për herë të parë nën dy milionë që nga viti 2015.
Presidenti kërkoi më shumë përpjekje për të garantuar qasjen në shërbimet bazë dhe për të mbrojtur grupet më të cenueshme të shoqërisë.






