Polonia, e cila kufizohet me Ukrainën dhe po mbrohet nga agresioni rus, nënshkroi sot një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të blerë 116 tanke të avancuara Abrams si pjesë e forcimit të aftësive të saj ushtarake. Shitja u miratua nga Departamenti Amerikan i Shtetit në dhjetor.
“Ne po forcojmë “grushtin e hekurt” të forcave të armatosura polake për të penguar me sukses agresorin,” tha ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak me rastin e ceremonisë së nënshkrimit në Varshavë. Blaszczak tha se tanket e para Abrams M1A1 duhet të mbërrijnë në Poloninë lindore deri në fund të vitit.
Vitin e kaluar Polonia bleu 250 tanke amerikane Abrams, të cilat sipas ministrit polak duhet të dorëzohen në fund të vitit 2024. Ministri polak në një postim në Twitter deklaroi se vlera e kontratës së re është 1.4 miliardë dollarë, nga të cilat 200 milionë janë financuar nga pala amerikane si pjesë e ndihmës Polonia.
Nënshkrimi i kontratës për dërgesën e dytë vjen më shumë se dhjetë muaj pas fillimit të luftës në Ukrainën fqinje, kur në Poloni muajin e kaluar një raketë tokë-ajër, që besohet të jetë ukrainase, ra pranë kufirit duke vrarë dy persona.