Policia e Kosovës ka dalë me raport zyrtar lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor që kalon nëpër fshatin Studime të komunës së Vushtrrisë.
Sipas njoftimit të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:00 dhe në të janë përfshirë dy automjete.
Si pasojë e përplasjes, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një grua rreth 52-vjeçare.
“Në aksident janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një viktimë femër, rreth 52 vjeçare, ndërsa pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor”, njofton policia.
Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohet obduksionit.
Policia bëri të ditur se hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor, në koordinim me prokurorin e rastit, po zhvillojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit fatal.






