Glauk Konjufca dhe Agim Bahtiri nuk janë vetëm bashkëpartiak dhe miq të mirë. Ata e kanë edhe një gjë të përbashkët: zbythen shpejt nga deklaratat që thonë publikisht.
Kandidatët e VV-së për deputetë, Glauk Knjufca dhe Agim Bahtiri, nuk janë shumë konsistent në qëndrimet e tyre. Jo rrallë ata bëhen pishman për deklaratat që thonë publikisht. Nëse shohin reagimet të ashpra nga ajo që kanë thënë, ata tërhiqen duke u ankuar se qëndrimet e tyre janë nxjerr nga konteksti.
Një gjë e tillë dy zyrtarëve të VV-së iu ka ndodhur edhe këtë javë.
Reagimet e shumta që kanë shkaktuar deklaratat e tyre të pamatura për gratë dhe drenicasit, kanë bërë që brenda pak orëve ata të tërhiqen nga qëndrimet e tyre fillestare duke përgënjeshtruar veten e tyre.
Fillimisht, numri dy i Qeverisë dhe VV-së, Glauk Konjufca, është tërhequr nga fyerjet që ka shprehur për gratë dhe profesionin e frizerkave.
Gjatë një tubimi elektoral në Ferizaj, Konjufca ka vazhduar talljen e një militanti të VV-së me gratë dhe këtë profesion. Në vend se të dënonte gjuhen e militantit partiak që e kishte përballë, ai qeshi dhe e vazhdoi talljen.
Një gjë e tillë nxiti reagime të shumtë.
Përfaqesues të opozitës dhe shoqëria civile e dënuan gjuhen e Konjufcës, duke e quajtur talljen e tij seksiste.
Kjo bëri që shumë shpejt Konjufca të del me një sqarim, duke pretenduar se nuk e ka dëgjuar mirë pyetjen e personit që kishte përball.
Në profilin e tij në Facebook, ai pretendoi se nuk e ka njohur personin që ia shtori pyetjen.
“Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese. Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani. Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë”, ka shkruar ai.
Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Agim Bahtiri, të cilin para disa viteve Konjufca e quante “akademik”.
Bahtiri, i cili e quan veten “luan i veriut, dje eskaloi ndaj Drenicës.
Derisa zhvillonte një intervistë në sheshin e Mitrovicës së Veriut. Bahtiri e fyeu Drenicën, duke thënë se më shumë siguri ka në veri të Mitrovicës së në Skenderaj.
“Siguria është shumë më e madhe se e disa grupeve në Skenderaj, siguria është më e madhe këtu se në Skenderaj. E patë edhe ju vet, s’po flas më andej”, ka thënë ai.
Krahasimi i veriut të vendit me Drenicën nxiti reagim të ashpra.
Kjo bëri që “luani i veriut” të zbythet.
Përmes një statusi në Facebook, ai u tërhoq nga fyerja, duke pretenduar se kurrë nuk e ka fyer rajonin e Drenicës.
“Pas intervistës sime të dhënë sot në sheshin e veriut të Mitrovicës, kam parë që disa analistë e eksponentë politikë, të rreshtuar “me vesh në krahë” në këtë kohë parafushate, po mundohen me çdo kusht të keqpërdorin e të nxjerrin nga konteksti deklaratat e mia. Qëllimi i tyre është i qartë: sulmi i ulët ndaj meje dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Për të gjithë ata që duan ta kuptojnë të vërtetën, dhe jo manipulimin, po e bëj të qartë: Drenica Legjendare është vlerë, grupet e interesit janë regres Kur kam krahasuar situatën e sigurisë në Veri dhe në Skenderaj, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk e kam pasur fjalën për Drenicën Legjendare”, ka shkruar Bahtiri.






