Petrit Selimi ka thënë se dy skenarë për Kosovën – koalicion LVV-LDK ose zgjedhje në dhjetor
Ai ka thënë se ekzistojnë dy skenarë për formimin e institucioneve të reja: njëri varet nga zhvillimet brenda LDK-së, ndërsa tjetri, sipas tij, është tërësisht në duart e Albin Kurtit.
Petrit Selimi parashikon Glauk Konjufcën të jetë i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje për pozitën e presidentit.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, në një analizë spekuluese rreth formimit të institucioneve të reja, shkroi se Konjufca do të jetë kandidati për president i VV-së nëse Lidhja Demokratike e Kosovës arrin marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ky skenar, sipas Selimit, mund të realizohet në rast se kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i shpëton përpjekjeve për rrëzimin e tij nga lidershipi partiak.
“Një varg: Ma merr menja Glauku do t’jetë kandidat për president nëse LDK-ja hyn ne koalicion. Vjosa ndoshta kryetare e Kuvendit. Lumiri ZvKM & ministër i jashtëm (a transportit)”, shkroi Selimi në një postim në platformën X.
Selimi tha se AAK mund t’ia bëjë Kurtit numrat për president duke qëndruar në seancë për kuorum, por tha se kjo gjë varet “nëse Albini [Kurti, v.j] pranon gazpërçuesin për LNG amerikan”.
Skenari tjetër, sipas analizës së Selimit, është ai i dërgimit të vendit në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Ky skenar është në duart e Kurtit, sipas Selimit.
Ai tha se kryeministri në detyrë është i vetmi person që mund ta çojë vendin në zgjedhje.
“Ca deputetëve të VV ju ka thanë: ‘bonu gati për dhjetor, kemi zgjedhje’”, citoi Selimi, fjalët e supozuara që Kurti u ka thënë disa deputetëve të Vetëvendosjes.
“Por nëse nuk ka marreveshje me LDK dhe një dorë ‘miqësie’ ndaj AAK, atëherë Kurti ka me zhagit, me kriju landë për kushtetuese dhe zgjedhjet I kemi me 27 dhjetor ku VV pret me shpartallu LDK-në”, spekuloi ai.
Në postimin e tij, Selimi tha se i vetmi moment që mund të ndërrojë lojën në këtë skenar mbetet vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë, i cili pritet të shpallet në shtator.






