Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, konsideroi se një ditë para ciklit të ri të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi të ngrejë tensione të reja, kur vizitoi gjatë ditës Leposaviqin dhe Zubin Potokun – dy komuna të banuara me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.
Petkoviqi e cilësoi “provokim” vizitën e kreut të ekzekutivit kosovar në këtë zonë të banuar kryesisht nga serbë etnikë, ndërsa akuzoi KFOR-in dhe EULEX-in që e lejuan vizitën. Madje, korrieri kryesor i propagandës serbe e cilësoi “okupator” kryeministrin e Kosovës, duke shtuar se ai nuk është i mirëpritur në mesin e serbëve lokalë.