Pesë të arrestuar për krime lufte në rastin “Reçaku II”, Prokuroria Speciale njofton konferencë për shtyp në ora 13:00

- Advertisement -

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë arrestuar pesë persona në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.

Prokuroria dhe Policia njoftuan se gjatë operacionit janë kryer kontrolle në disa lokacione, ndërsa detaje shtesë do të bëhen publike në një konferencë për media të paralajmëruar për orën 13:00.

“Operacioni policor, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar në rastin e njohur si ‘Reçaku II’, së bashku me Policinë e Kosovës, ka rezultuar me pesë persona të arrestuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Institucioni bëri të ditur se “gjatë operacionit janë ekzekutuar urdhër-kontrolle në disa lokacione”.

Rasti lidhet me aktakuzën e ngritur më herët nga Prokuroria Speciale kundër 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se, si pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë vrarë 42 civilë shqiptarë gjatë operacionit në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.

“Gjatë periudhës 1998-1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhet në aktakuzë.

Sipas hetimeve, forcat serbe fillimisht rrethuan Reçakun nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, përpara se ta granatonin fshatin me mjete ushtarake.

Prokuroria thotë se më pas forcat serbe hynë shtëpi më shtëpi, ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, detyruan civilët të largoheshin dhe ekzekutuan burrat e ndaluar.

Hetimet kanë dokumentuar gjithashtu rrahje brutale të civilëve me kondakë armësh, zinxhirë, dru dhe mjete të tjera të forta.

Si pasojë e operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga Reçaku, Topilla, Petrova, Kraishta, Mullopolci dhe Dremjaku u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi ndaj 21 të akuzuarve të zhvillohet në mungesë, me arsyetimin se ata ndodhen jashtë Kosovës dhe mbeten të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Të ngjashme

Të fundit