Pesë persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se arrestimet janë kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas dyshimeve fillestare, të dyshuarit dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke pajisur një person me fletë poseduese për një pronë prej 2 hektarësh në Fushë Kosovë.
Më pas, ky person, në bashkëpunim me të dyshuar të tjerë, dyshohet se ka tentuar ta tjetërsojë pronën përmes shitblerjes, duke përdorur dokumente të falsifikuara. Vlera e pronës kap shifrën e 1 milion e 500 mijë eurove.
Të arrestuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe bashkëkryerje.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet përkatëse.






