Pesë alpinistë boshnjakë dyshohet se kanë vdekur në malin Elbrus të Rusisë, malin më të lartë në Evropë, pasi u përfshinë në një stuhi të dhunshme, tha të dielën një shërbim shpëtimi alpinistësh boshnjakë, ndërsa ekipet ruse të shpëtimit vazhduan të kërkonin trupat, ka raportuar Reuters.
Ministria e Emergjencave e Rusisë tha se ekipet e shpëtimit kishin shpëtuar dy alpinistë të tjerë, të cilët u evakuuan nga mali dhe u dërguan për kujdes mjekësor.
Ajo tha se trupat e dy anëtarëve të tjerë të të njëjtit grup ishin gjetur në mal në një lartësi prej 5,350 metrash dhe do të evakuoheshin kur kushtet e motit të lejonin. Kërkimi për tre trupat e tjerë është duke vazhduar, shtoi ministria, pa specifikuar kombësinë e tyre.
Mali Elbrus, i cili ngrihet në 5,642 metra në veri të kufirit me Gjeorgjinë, është i famshëm për ndryshimet e papritura të motit dhe kushteve të ngjitjes. Mediat boshnjake raportuan se shtatë anëtarët e ekspeditës ngjitëse ishin banorë të qytetit qendror të Zenicës dhe përfshinin një çift të martuar dhe një mjek që punonte në spitalin lokal.
Media ruse raportoi se kushtet e këqija të motit, përfshirë erërat e forta, kishin komplikuar operacionet e kërkimit dhe të rikuperimit.






