Në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali ka përfunduar me sukses punëtoria treditore në kuadër të projektit FIFA Talent Development Scheme (TDS), e organizuar në bashkëpunim me ekspertë të FIFA-s.
Në këtë punëtori morën pjesë trajnerët e programit “FFK Talent Coach Academy”, përfaqësues të projektit “Elite Youth Development”, edukatorët e trajnimevetë FFK-së, si dhe persona të angazhuar në zhvillimin e futbollit të të rinjve në klube dhe në ekipet kombëtare.
Gjatë tri ditëve të punës, pjesëmarrësit patën mundësi të diskutojnë dhe të shkëmbejnë përvoja me ekspertë ndërkombëtarë rreth temave të rëndësishme si identifikimi i talenteve, zhvillimi i tyre, skautimi, efekti i moshës relative, maturimi fizik dhe ndikimi i këtyre faktorëve në rritjen e futbollistëve të rinj.
Eksperti i FIFA-s, Arnar Vidarsson, vlerësoi rëndësinë e kësaj punëtorie dhe bashkëpunimin mes profesionistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Zhvilluam një punëtori treditore me edukatorë trajnerësh, trajnerë, njerëz që punojnë në Federatë apo në klube, si dhe me stafin që është pjesë e projektit tonë për trajnerët e talenteve. Në thelb, po diskutojmë dhe po mësojmë nga njëri-tjetri, duke ndarë praktikat më të mira. Jemi me fat që kemi ligjërues nga Evropa, përfshirë ekspertë që punojnë në akademi të mëdha në Holandë, siç është Feyenoordi. Gjithashtu kemi edhe kolegun tim nga FIFA, Andrew Gould, i cili deri para pak muajsh ishte drejtor teknik i Federatës Skoceze të Futbollit”, ka thënë Vidarsson.
Ndërkaq, eksperti tjetër i FIFA-s, Andrew Gould, theksoi se qëllimi kryesor i këtij projekti është mbështetja e Kosovës në zhvillimin e talenteve cilësore për të ardhmen.
“Gjatë këtyre tri ditëve diskutuam për shumë tema, si identifikimi dhe zhvillimi i talenteve. Po mësojmë së bashku, po ndajmë përvoja dhe po fitojmë më shumë njohuri për çështje si efekti i moshës relative, maturimi i rritjes dhe mënyra se si këta faktorë ndikojnë në zhvillimin e talenteve të rinj. Në fund, synimi ynë është ta ndihmojmë Kosovën të prodhojë talente dhe futbollistë cilësorë, në mënyrë që ekipet kombëtare të paraqiten në nivelin më të lartë”, ka deklaruar Gould.
Ndërkaq, shefja e Departamentit të Edukimit në FFK, Sanije Krasniqi theksoi se FFK-ja i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të talenteve dhe krijimit të strukturave të qëndrueshme për identifikimin dhe avancimin e tyre.
“Federata e Futbollit e Kosovës i jep shumë rëndësi zhvillimit të talenteve, skautimit të tyre në kohë të hershme dhe zhvillimit të tyre përmes proceseve në ekipet nacionale, por edhe në projektet e ndryshme që i kemi. Ky është hapi i parë i këtij lloj trajnimi, pasi shumë shpejt do të vazhdojmë edhe me trajnimin për analizën e lojtarëve, i cili do të realizohet bashkërisht me FIFA-n”, ka theksuar Krasniqi.
Përmes projektit “FIFA Talent Development Scheme”, FFK synon të avancojë edhe më tej sistemin e punës me talentët e rinj, duke forcuar kapacitetet profesionale të trajnerëve, edukatorëve dhe strukturave përgjegjëse për zhvillimin e futbollit të të rinjve në Kosovë.






