Prokuroria Themelore e Prishtinës, njofton opinionin publik se aksioni i cili ka filluar në mëngjes të ditës së sotme, në koordinim me Policinë e Kosovës-Drejtoria rajonale e policisë së Prishtinës dhe me gjykatën kompetente ka përfunduar.
Në kuadër të këtij aksioni, janë kryer bastisje në pesë (5) lokacione, përkatësisht në Prishtinë, Kamenicë dhe në Viti, ku fillimisht janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar, prej tyre një (1) zyrtar i Shërbimit Korrektues, ndërsa pas intervistimit të tyre në stacion policor, ata janë dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48-orësh nga Prokurori i Shtetit, për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, sipas KPRK-së.
Personat me inicialet: B.SH., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoina, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave. Në këtë çështje penale janë në kërkim edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në objektet përkatëse.
Nga bastisjet e realizuara janë sekuestruar fatura e prova të tjera, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.
Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.