Kryetari i institucionit të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj nga Haga, ka reaguar ndaj mosprezencën së përfaqësuesve të Gjykatës Speciale, gjatë prezantimit të raportit të punuar nga ekspertë britanik për Specialen, raport ky që u prezantua sot edhe në Hagë.
Autorët e raportit për Gjykatën Speciale nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), Gus Waschefort dhe Lauren Lederle, këtë të enjte kanë pezantuar të gjeturat e raportit para diplomatëve evropianë dhe amerikanë në një takim të mbyllur në Hagë.
Aty kanë marrë pjesë edhe organizata dhe institucione që merren me drejtësinë ndërkombëtare dhe tranzicionale.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Gjykatës Speciale dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk kanë marrë pjesë në takimin e thirrur, ka bërë të ditur Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj.
Qelaj në një konferencë për media, tha se ideja për ta hartuar këtë raport për punën dhe funksionimin e Speciales, ka ardhur si rezultat i shqetësimeve publike që janë shfaqur në Kosovë në lidhje me atë nëse Specialja është brenda standardeve të drejtësisë së Kosovës dhe nëse është në përputhje me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
“Dhe krejt kjo në frymën e kontributit që ne kemi dashur ta japim për vetë gjykatën, me reflektu në lidhje me këto shqetësime, me dhënë sqarime dhe me bind publikun dhe qytetarët se ata janë duke e zhvilluar një proces të drejtë. Mendoj që raporti dhe të gjeturat e raportit konfirmojnë krejt shqetësimet që unë i kam ngritur edhe në takime të drejtpërdrejta me kryetaren e Gjykatës së Dhomave të Specializuara dhe pres që ky raport të ndikojë që gjykata të reflektojë, me u hap, me qenë më transparente me publikun, me i dhënë përgjigje dhe me i dhënë sqarime shqetësimeve dhe pyetjeve e dilemave që ne i kemi ngritur në vazhdimësi. Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodh, unë konsideroj që procesi do të manifestohet me shumë probleme dhe me një dozë shumë të lartë të mosbesimit publik, gjë që e bën gjykatën të mos jetë brenda standardeve në të cilat funksionojnë gjykatat në një sistem demokratik. Besoj që gjykata nuk ka mision vetëm të vendosë drejtësi, por ka edhe misionin për të vendosur besimin te publiku për atë drejtësi për të cilën vendosë. Dhe në mungesë të njërës nga këto dy segmente, besoj që kjo pastaj është në dëm të interesit të krejt qytetarëve për drejtësi”, tha Qelaj.
Ai foli edhe për refuzimin që ia ka bërë Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për të marrë pjesë në një diskutim të tillë, duke thënë se këtë e konsideron vetëm si një refuzim për ta pranuar kritikën dhe vlerësimin, por edhe si refuzim për të qenë transparent dhe llogaridhënës.
“Unë nuk e kuptoj, këta mund ta konsideroj vetëm si një refuzim për ta pranuar kritikën dhe vlerësimin, apo më mirë të them një refuzim për të qenë transparent, refuzim edhe për të qenë llogaridhënës, jo vetëm sot por në dhjetor të vitit që shkoi i kam dërguar letër kryetares së Gjykatës Speciale, në të cilën unë kam shprehur krejt shqetësimet e mija pas takimeve që kam pasur në Hagë, vizitave që ua kam bërë të akuzuarve në qendrën e paraburgimit, një takim me ekipin mbrojtës edhe një takim me gjykatën, kam konsideruar se është shumë e domosdoshme me i ngritë disa çështje të cilat lidhen drejtpërdrejtë me standardet e kësaj gjykate dhe nëse kjo gjykatë po i plotëson standardet që drejtësia e Kosovës i ka vendosur. Nuk kam marrë përgjigje. Në vend të saj kam parë një publikim në rrjete sociale të vetë gjykatës ku ata vetëm fragmentarisht japin përgjigje për sa i përket provave të siguruara nga Serbia por nuk japin në esencë, përmbajtësish përgjigje për dilemat që janë ngritur”, tha ai.
Sipas tij, qasje dhe mënyrë e sjelljes së gjykatës, mendoj që nuk është brenda standardeve që i ka përcaktuar vetë Bashkimi Evropian.
“Edhe mospjesëmarrja në takimin e sotëm por edhe komunikimi me ambasada të vendeve të huaja duke raportuar, ta quaj, në mënyrë private për rrjedhën e procedurave gjyqësore dhe krejt atë çka po ndodhë në gjykatë, konsideroj se është një ofendim për popullin e Kosovës, i cili ka treguar gatishmërinë e plotë për ta krijuar këtë gjykatë, e ka mbështetur këtë gjykatë dhe ka qenë i gatshëm për të bëjë kompromise për të ardhur deri te e vërteta dhe vendosja e drejtësisë dhe kjo qasje dhe mënyrë e sjelljes së gjykatës, mendoj që nuk është brenda standardeve që i ka përcaktuar vetë Bashkimi Evropian”, tha ai.
Raport i hartuar nga ekspertët e Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (BHRC) në Londër, me iniciativën e Avokatit të Popullit, i cili e publikoi në fund të muajit prill.
Sipas avokatit, ky raport është hartuar nga një komitet i pavarur që është angazhuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, duke theksuar se nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje në të.
Avokati i Popullit në atë kohë kishte thënë se raporti tregon se Dhomat e Specializuara kanë devijuar nga qëllimi fillestar që kishte raporti i Këshillit të Evropës






