22.5 C
New York
Saturday, September 21, 2024

Buy now

Përballjet e shtetit në arbitrazh, Kosovës i kërkohen 144 milionë euro dëmshpërblim

- Advertisement -

Miliona euro janë shpëtuar pa u derdhur nga kuleta e shtetit, pasi Kosova ka dalë fituese në një rast për të cilin ishte paditur në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bëri të ditur se tashmë kanë  filluar hapat e radhës për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit dhe inkasimin e shpenzimeve.

Ndonëse, njëri rast mori epilog gjyqësor, Kosova është duke u ballafaquar edhe me katër raste të tjera aktive, për të cilat është dërguar në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Dëmshpërblimi që kërkojnë palët paditëse arrin shumën 144 milionë euro, përfshirë këtu edhe rastin në të cilin ka fituar shteti, por që ende nuk është bërë publik.

“Në Arbitrazhin ndërkombëtar janë pesë lëndë, ku prej të cilave katër lëndë janë aktive. Paditë dhe vlerat e kërkesëpadive janë: Blerim Devolli kundër RKS, vlera e kontestit 25,000,000.00 USD; Iute Credit kundër RKS, vlera e kontestit 30,000,000.00 USD; Countur Global kundër RKS dhe 5 ndërmarrjeve publike, vlera e kontestit 20,053,000.00 USD; Bedri Selmani kundër RKS, vlera e kontestit 65,000,000.00 USD dhe Mabco Contruction kundër RKS, vlera e kontestit 6,000,000.00 euro”, tha Berita Abazi – këshilltare politike në Ministrinë e Drejtësisë.

Avokati, Taulant Hodaj thotë se kontestet e kompanive me shtetin janë të shumta dhe rrjedhimisht mund të rritet numri i padive për Kosovën në Arbitrazh.

“E shoh ka shumë palë të interesuar klientë sidomos dhe kompani private që kanë konteste me institucionet e Kosovës apo janë duke implementuar një kontratë dhe shohin që nuk është duke u implementuar ajo kontratë, ka kompani të infrastrukturës rrugore e kështu me radhë që kanë kontrata aktive por që nuk implementohen dhe potencialisht mund të përfundojnë në Arbitrazh”, u shpreh Hodaj.

Ndërsa për avokatin, Skender Musa, shteti në këto raste duhet që përveç avokatëve shtetërore të angazhojë edhe firma ligjore të dëshmuara.

“Në radhë të parë kur të shprehet interesi publik për të angazhu firma ligjore serioze, atëherë institucionet shtetërore duhet të kenë parasysh që të marrin avokatë eminent, avokatë që kanë raste të fituara edhe në Kosovë edhe në aspektin ndërkombëtar”, deklaroi Musa.

Kosovën në arbitrazh ishte paralajmëruar se mund ta dërgonte edhe konsorciumi Bechtel-Enka, lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve në ndërtimin e Autostradës ‘Arbën Xhaferi’, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. /Tëvë1/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit