14.1 C
New York
Wednesday, October 9, 2024

Buy now

Për pak muaj: Njëri vëlla i Enver Dugollit rehatohet në Ibër-Lepenc, tjetri bëhet sekretar në Ministrinë e Mbrojtjes

- Advertisement -

Për rreth 3 muaj, dy vëllezërit e deputetit të VV-së, Enver Dugolli, janë ‘rehatuar’ në pozita të mira nëpër institucionet publike.

Njëri prej tyre është punësuar në Ibër-Lepenc, e tjetri është bërë sekretar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Gafurr Dugolli – Sekretar

Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit Enver Dugolli, është Sekretari i ri i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai është emëruar në këtë pozitë, bazuar në një votim në mënyrë unanime të kabinetit qeveritar në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.

Propozim-vendimin për emërimin e Dugollit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm e prezantoi ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se emërimi propozohet në raportin e komisionit vlerësues për rekrutimin e zyrtarëve në pozita të larta drejtuese.

Gafurr Dugolli e ka mohuar ndikimin nga vëllai i tij.

“Aspak. Ka qenë procedurë e rregullt rekrutimi e cila ka kaluar edhe përmes Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës e gjithashtu është monitoruar nga GLPS. Sa për info tuajën unë punoj në ketë institucion dhe paraardhësit e këtij institucioni – TMK e FSK që nga themelimi. Konkurroj që 5 herë. Dy herët e fundit jam i vetmi që mbërrij pikët e nevojshme mirëpo në mungesë të kandidatëve tjerë kanë dështuar këto procedura. Ketë herën e fundit kemi qeneë dy kandidatë që kanë kaluar. Rrjedhimisht janë plotësuar kushtet ligjore. Dmth asnjëherë kandidatët tjerë s’kanë mundur të mbërrijnë pikët e nevojshme. Po të kishte ndikim Enveri do të isha bërë para dy tri viteve”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Për emërimin e tij, ka reaguar rrjeti i shoqërisë civile, CorrWatch. Këta të fundit kanë bërë të ditur se ky emërim është në kundërshtim me ligjin.

“CorrWatch gjatë monitorimit të këtij procesi ka identifikuar se është tejkaluar afati për mbajtjen e intervistave. Rregullorja (QRK) Nr. 05/2024 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores (QRK) Nr. 15/2023 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, paragrafi 8 i nenit 10A thekson që “Pas vlerësimit të testimit me shkrim, vlerësimi i kandidatëve vazhdon me intervistën, e cila realizohet në mënyrë verbale e cila duhet të përfundojë më së voni pesëmbëdhjete (15) ditë pas përfundimit të vlerësimit të testit me shkrim.” Ndërsa në këtë rast kishin kaluar 21 ditë nga mbajtja e testit me shkrim deri te intervistat”, thuhet në reagim.

“CorrWatch ju bënë thirrje të gjitha institucioneve kompetente të marrin të gjitha veprimet e parapara ligjore. Në të njëjtën kohë ripërsërisim kërkesën tonë drejtuar KPMSHCK për monitorim të jashtëzakonshëm të procesit rekrutues, i cili realizohet në raste të shkeljeve ligjore në shërbimin civil në mënyrë që të rivendoset ligjshmëria”, theksohet më tutje.

Vëllai tjetër i Dugollit, në Ibër-Lepenc

Ilir Dugolli, vëllai i deputetit të VV-së, Enver Dugolli, tash e tre muaj po e këshillon kryeshefin e ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka.

Gazeta Nacionale kishte siguruar vendimin me të cilain Ilir Dugolli ishte përzgjedhur për pozitën e këshilltarëve të Kryeshefit të Ndërmarrjes Ibër-Lepenci.

Në vendimin për punësimin e vëllait të deputetit të pushtetit, thuhet se ai ka marrë 80 pikë nga i gjithë vlerësimi. Nacionale qysh javë më parë kishte mësuar se këto konkurse janë të përgatitura për personat e afërt me partinë në pushtet.

“Për punët dhe detyrat e punës, Këshilltarë i Kryeshefit Ekzekutiv, me shumicë votash nga paneli intervistues zgjidhet Ilir Dugolli. Kandidati sipas pikës 1 të këtij vendimi ka marrë gjithësej 80 poena nga totali i pikëve nga testi me shkrim dhe ai intervistues. Vendimi hyn në fuqi në ditën e pranimit nga palët”, thuhet në vendimin për punësimin e vëllait të deputetit të zëshëm të VV-së.

Gazeta Nacionale kishte dërguar pyetje në adresën zyrtare në ndërmarrjen Ibër-Lepenci për këtë punësim, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli redaksia nuk ka pranuar përgjigje.

Gazeta Nacionale kishte kontaktuar me Enver Dugollin, deputetin e Vetëvendosjes. Ai në fillim e ka hapur telefonin dhe ka thënë se gjendet në akademinë për masakrën e Dubravës. Pavarësisht dakordimit që pyetjet të dërgohen në formë të shkruar, deputeti Dugolli nuk u përgjigj në interesimin e gazetës nëse ka pasur ndikim për punësimin e vëllait në këtë ndërmarrje publike.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit