Nga viti 2018, plot 600 mjekë e lëshuan Kosovën.
E destinacioni i preferuar i punës për mantelbardhët, doli të jetë Gjermania.
Krejt kjo në kërkim të një page më të mirë në vendet e evropiane.
E për 8 vjet, pishman duket se i ranë, vetëm 40 prej tyre.
“Në bazë të dhënave tona që nga vitit 2018 të cilat vazhdimisht i kemi përcjellë migrimin, prej vitit 2018 deri me tani janë lëshuar mbi 600 certifikata, dmth që janë shkuar e sa janë kthyer ne kemi mujt me identifikuar me emër dhe mbiemër, 40, por këta sipas deklaratës së tyre shumica janë në sektorin privat”, ka thënë kryetari i odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.
Por, shifra krejt të tjera dha me 7 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas tij, vetëm në vitin 2025, u kthyen plot 171 profesionistë shëndetësor për të jetuar dhe punuar në Kosovë.
Rreth këtyre shifrave të hënën, nga Ministria e Shëndetësisë dolën me një sqarim
“Sipas të dhënave të siguruara nga Bordi për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë, gjatë vitit 2025 janë licencuar gjithsej 171 profesionistë shëndetësorë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, por edhe nga trevat e tjera shqiptare. Nga këta, 12 janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të Kosovës, që pas përfundimit të specializimit në vendet evropiane janë kthyer për të punuar në Kosovë.159 të tjerë janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të huaj ose me dy nënshtetësi, të cilët janë pajisur me licencë nga Bordi për Shkollim Specialistik për të punuar dhe vepruar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Elshani.
E Pleurat Sejdiu, kryetar në Odën e Mjekëve të Kosovë, ka treguar arsyet e largimit të stafit profesional shëndetësor nga Kosova.
“Mbi 80% të këtyre që janë larguar flasim për rreth 600, kanë deklaruar me vetë deklarim që janë shkuar deri në vitin 2022 arsyeja kryesore kanë qenë paga, tash viteve të fundit janë kushtet e punës dhe specializimi jo-kualitativ sepse është gjeneratë e re dhe kërkon më shumë”, tha tutje Sejdiu.
Sipas kësaj ode, vetëm gjatë këtij viti janë larguar 90 mjekë, apo pesë më pak sesa gjatë vitit të kaluar.
Megjithkëtë, sipas Sejdiut, ani pse në Kosovë ka mungesë të stafit, plot 465 mjekë të përgjithshme dhe 90 specialistë janë të papunë.






