PE i kërkon Shqipërisë të vendosë moratorium për lejet dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura

- Advertisement -

Parlamenti Evropian (PE) e ka miratuar të martën një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën i ka kërkuar vendit ta vendosë menjëherë një moratorium mbi lejet e reja dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura të vendit. Ndërsa, një amendament i mëparshëm që kishte përmendur zhvillimi i një projekti të mbështetur nag dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, u rrëzua.

Versioni final i miratuar të martën nuk e përmend asnjë projekt specifik, por flet për ruajtjen e zonave të mbrojtura dhe vjen në një kohë protestash në vend kundër investimeve kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për mjedisin dhe pronësinë e tokës.

PE tha se shpreh “shqetësim serioz për zhvillimet e fundit në zonat e mbrojtura në Shqipëri, të cilat ilustrojnë pasojat praktike të ndryshimeve ligjore në legjislacionin për zonat e mbrojtura dhe rreziqet që këto zhvillime paraqesin për zonat me vlera të njohura ekologjike”.

Ajo gjithashtu përmendi në amendamentin e rezolutës “protestat e vazhdueshme paqësore që lidhen me këto zhvillime” dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium mbi të gjitha lejet e reja, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, deri në një vlerësim të plotë dhe të pavarur të ndikimit mjedisor dhe ligjor.

Gjithashtu bëhet thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve që u bënë në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.

“Kërkohet shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca të rëndësishme të qeverisjes dhe vendimmarrjes tek Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar mbikëqyrjen mjedisore”, thuhet në amendament.

Vetëm pak ditë më parë Komisioni Evropian shprehu shqetësimin se projekti i planifikuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë mund të ketë ndikime mjedisore që bien në kundërshtim me procesin e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Në dy javët e fundit në në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera po zhvillohen protesta kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për mjedisin dhe pronësinë e tokës.

Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Prokuroria e Posaçme është duke kryer hetime në lidhje me kontratat e shitjes së tokës, ku do të realizohet ky projekt.

Reagimet rreth amendamentit

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi amendamentin si konfirmim të mbështetjes së fortë evropiane për procesin e integrimit të vendit dhe garanton se Vjosë-Narta do të mbrohet.

“Në çdo rast flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Evropian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Evropës së Bashkuar”, tha Rama duke theksuar se protesta e nisur për flamingot po përfundon në luftë për pushtet në emër të tyre.

Nga ana tjetër, organizatorët e protestave kundër projektit në Vjosë-Nartë e shohin si fitore miratimin e amendamentit që kërkon ndalimin e ndërhyrjeve të reja në zonat e mbrojtura.

Seanca parlamentare në Strasburg është ndjekur edhe nga shoqata mjedisore BirdLife Europe dhe Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), të cilat kanë qenë të angazhuara për çështjen e ndërtimeve në zonat e mbrojtura.

“Sot Parlamenti Evropian ka qëndruar në krah të mijëra shqiptarëve në rrugët e Tiranës. Ky votim dërgon mesazhin e qartë se nuk mund t’i bashkoheni BE-së duke shkatërruar ligatinat e mbrojtura dhe duke anashkaluar ligjet tuaja. Mbrojtja e Vjosës-Nartës dhe respektimi i Direktivave të Zogjve dhe Habitateve, janë një kusht themelor i anëtarësimit në BE”, tha Anouk Puymartin, shef i politikave në BirdLife Europe.

Ndërsa Joni Vorpsi, përfaqësues i PPNEA tha se thirrja e Parlamentit Evropian për një moratorium të menjëhershëm është pikërisht ajo që nevojitet në luftën për të mbrojtur Vjosë-Nartën.

Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura krijuan mundësi për miratimin e projekteve turistike dhe infrastrukturore në disa prej zonave bregdetare në jug të Shqipërisë si Palasë, Jalë, Zvërnec etj. Ky ndryshim ka sjellë shqetësime të vazhdueshme në komunitetin mjedisor dhe në institucionet evropiane.

Në rezolutën e PE shprehet keqardhje edhe për zgjatjen e afatit të ligjit për Investimet Strategjike.

“Dispozitat e tij mundësojnë procedura të përshpejtuara lejesh dhe kontrolle më të kufizuara mjedisore, gjë që rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe në zona të tjera të ndjeshme nga pikëpamja mjedisore”.

Rama ka thënë më parë se ky ligj do të shfuqizohet pasi e ka arritur qëllimin e tij. Rama tha se vendit nuk i duhet më ky ligj sepse investitorë të mëdhenj po shkojnë dhe nuk kanë nevojë për lehtësitë që ofron ligji. Ai theksoi se po punohet për një ligj të ri për investimet, bashkë me bllokun evropian.

Ndërkohë, rezoluta e PE-së e vlerëson progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Megjithatë, theksohet se ky progres duhet të shoqërohet me zbatim efektiv dhe të qëndrueshëm të reformave në praktikë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të institucioneve demokratike.

Gjithashtu i bën thirrje shumicës qeverisëse dhe opozitës në Shqipëri që të ndërmarrin, në mënyrë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse, një reformë të plotë zgjedhore, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, si dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e papërmbushura të ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias.

Ajo inkurajon një kontroll më të fortë parlamentar mbi pushtetin ekzekutiv dhe kujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kuadrit kushtetues të Shqipërisë dhe është krijuar për të garantuar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike. Po ashtu i bën thirrje Shqipërisë të bëjë përparim vendimtar në regjistrimin fillestar të pronave. Shpreh keqardhje që ekonomia informale pengon mjedisin e biznesit dhe konkurrencën.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që prej vitit 2014. Ajo nisi negociatat e anëtarësimit në korrik 2022, dhe ka hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave.

Rama ka deklaruar se Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit me BE deri në fund të vitit 2027, dhe vendi të anëtarësohet në deri në 2030./Radio Evropa e Lirë/

Të ngjashme

Të fundit