Në një komunikatë për media, PDK kërkon nga Qeveria përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë.
“Lufta e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, ka qenë e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme. UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare janë pjesë e pandashme e historisë, identitetit dhe lirisë së Kosovës. Mbrojtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi qytetare dhe shtetërore që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen e vendit.”, thuhet në komunikatë.
PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe përmbylljen e këtij procesi. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Qeveria në opinionin e saj. Prandaj, zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve.
“Qytetarët, fëmijët e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, po protestojnë me një kërkesë të qartë për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të marrë përgjigje përmes veprimeve konkrete institucionale. Qeveria nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë për vendimmarrje me përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.”, thuhet tutje.
PDK kërkon nga organet shtetërore të ndalin dhunën ndaj protestuesve. Masat e përdorura ndaj një proteste që ka qenë e qetë për 20 ditë me radhë janë tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme. Qëndresa e qytetarëve nuk mund të trajtohet si kërcënim dhe as të përdoret si pretekst për ushtrim dhune.
“Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren skajshmërisht për qëllime politike apo për ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve. Ato kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Çdo përpjekje për t’i vënë në shërbim të interesave të pushtetit përbën abuzim të rëndë me përgjegjësinë shtetërore. Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë.”, thuhet tutje.
PDK u bën thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që mbron UÇK-në.
Sipas komunikatës, përgjegjësia institucionale në këtë moment kërkon vendimmarrje, respekt për qytetarët dhe mbrojtje të dinjitetit të çlirimtarëve.






