25.4 C
New York
Wednesday, July 24, 2024

Buy now

PDK: Qeveria ia humbi Kosovës 21 milionë euro – të barabarta me 42 mijë paga mesatare në Kosovë

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Kurti për të t’i ndarë 21 milionë euro kompanisë “Contour Global” si epilog i procesit të arbitrazhit pas dështimit të ndërtimit të termocentralit.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj në një konferencë për media tha se përtej humbjes financiare, menaxhimi i munguar dhe i dështuar i këtij projekti, dëshmon se Qeveria ka dështuar të ndërtojë një vizion të qartë dhe të qëndrueshëm për adresimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës për furnizim me energji.

“Dje Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi që të paguajë 21 milion euro, si pasojë e humbjes së procesit të Arbitrazhit ndaj Kompanisë Coutour Global. 21 milion euro janë të barabarta me 42 mijë paga mesatare në Kosovë”, theksoi ai.

Nikaj rikujtoi se Qeveria nuk ka arritur të përfundojë projektet e nisura, e as nuk ka nisur ndonjë projekt të ri në këtë fushë.

“Përveç projektit të Termocentralit të Ri, qeveria e udhëhequr nga VV ka anuluar edhe projektin e gazit natyral, projekt i cili ishte nisur dhe përkrahur nga MCC, por edhe nga donatorë të tjerë siç janë EBRD dhe Komisioni Evropian. Rezultat i të gjitha këtyre dështimeve janë çmimet e larta të energjisë sot, të cilat qytetarët tanë i përjetojnë çdo ditë e çdo muaj në faturat e tyre, por edhe një pasiguri e skajshme e furnizimit posaçërisht në muajt e dimrit”, shtoi ai

Ndërsa, anëtari i tjetër i kryesisë, Blerand Stavileci ka thënë se dështimi këtij projekti është një dëm i madh që i është shkaktuar buxhetit dhe ekonomisë së vendit tonë.

“Gjendja në të cilën jemi, e mbi të gjitha, rritja e tarifave dy herë brenda dy viteve, edhe pse asnjë megavat nuk iu shtua sistemit, na tregon që dështimin e qëllimshëm të këtij projekti nga kjo qeveri, përveç parave të paguara nga buxheti i taksapaguesve do ta paguajmë edhe shumë vite më pas, sepse asnjë nga projektet aktuale nuk e zgjidhë ngarkesën e furnizimit bazë dhe siguria e furnizimit do të jete sfida më e madhe dhe problem i vazhdueshëm i sistemit dhe sektorit, e kjo do të thotë që do të vazhdojmë të jemi thellësisht e tmerrësisht të varur nga importi”, shtoi ai.

Stavileci tha se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një vizion të qartë, i cili siguron qëndrueshmëri energjetike me çmime të përballueshme.

“Të gjitha vonesat, mospuna dhe paaftësia e kësaj qeverie fatkeqësisht do të faturohen në kurrizin e qytetarëve, në dëm të së ardhmes së tyre. Ekonomia e vendit tonë dhe qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për energji dhe ekonomi të qëndrueshme dhe çmime të përballueshme në mënyrë që të kenë standard të mirë jetese. Fatkeqësisht kjo nuk mund të pritet nga qeveria e udhëhequr nga VV”, theksoi Stavileci.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit