PDK mirëpret vendimin e Kushtetueses: Kuvendi të mblidhet dhe ta votojë Projektligjin për Dhomat e Specializuara

- Advertisement -
Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat e saj për konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë. PDK vlerëson se vendimi u jep përgjigje shqetësimeve që ka ngritur për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe për nevojën që vendi të ketë institucione funksionale.

Që nga muaji gusht, PDK ka kërkuar përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Vonesat e njëpasnjëshme kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale në një kohë kur qytetarët presin vendime për çështjet me rëndësi për vendin.

Në të njëjtën kohë, PDK ka kërkuar që kriza të zgjidhet përmes funksionalizimit të institucioneve. Kosova ka nevojë për një Kuvend që punon, për vendimmarrje dhe për institucione që mbajnë përgjegjësi para qytetarëve. Sipas vlerësimit të PDK-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera.

Kuvendi i ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme e të panevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin për Dhomat e Specializuara.

Për PDK-në, votimi i kësaj nisme ligjore është prioritet kombëtar në përpjekjen për drejtësi, për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Të ngjashme

Të fundit