Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Lipjan, pas arrestimit të nëntë zyrtarëve të Komunës së Lipjanit që po hetohen për dëmtim të buxhetit komunal përmes pranimit të punimeve në stadiumin e Magures, kërkon të zbardhen të gjitha rastet e korrupsionit në këtë komunë.
Dega e PDK-së në Lipjan kërkon që kryetari i Komunës, Imri Ahmeti të përgjigjet para drejtësië, dhe të japë dorëheqje për t’u lënë rrugë hetimeve.
Prej kohësh, ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që hetuesit e Krimeve Ekonomike të zbarkojnë në Komunën e Lipjanit, duke nisur nga fakti se gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm alarmonin për shumë parregullësi në këtë komunë, si: pagesa nga kategoria ekonomike joadekuate, zhvillim të procedurave të prokurimit jashtë planifikimit, dobësi gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, mungesë dëshmishë për arsyetimin e shpenzimeve nga përfituesit e subvencioneve, mungesë të planit për subvencione, sigurim jo valid i ekzekutimit, vonesa në realizimin e punimeve, shpenzim i ulët i buxhetit të kapitaleve.
Po ashtu, prej kohësh ne kemi bërë të ditura dyshimet për rastet e korrupsionit me ndarjen e subvencioneve, dhënien e tenderëve për ndriçim publik, asfaltim dhe ndërtim të parqeve, dhënien e lejeve për mbindërtime nga militantët partiakë, dhe konkurset e kurdisura në arsim e shëndetësi.
Në një nga tenderët e fituar nga një kompani, menaxher i kontatës është njëpri prej të arrestuarve të djeshëm, për të cilin Imri Ahmeti, në kohën e qeverisjes qendrore të LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje, ka ndikuar në emërimin e tij kryesues i bordit të KUR Prishtina, i cili më pas e ka avancuar djalin e Imri Ahmetit në pozitë brenda kësaj kompanie.
Po ashtu, disa prej zyrtarëve të arrestuar, kanë krijuar një zinxhir të korrupsionit në dhënien e lejeve ndërtimore. Ata bëjnë projektimet e objekteve ndërtimore, mbikëqyrjen, pranimin dhe legalizimin e tyre. Dhe nëse këta zyrtarë nuk e bëjnë projektimin, askush nuk mund të marrë leje ndërtimore në Komunën e Lipjanit.
Këto e shumë raste të tjera që i kemi denoncuar në vayhdimësi viteve të fundit, janë dëshmi se në Lipjan ka pasur raste të rënda korrupsioni. Prandaj, dorëheqja e kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti duhet të jetë para së gjithash obligim moral para të gjithë qytetarëve të Lipjanit, të cilët meritojnë të jenë të barabartë në marrjen e shërbimeve komunale dhe përfitimin nga investimet lokale.
Ne nuk do të ndalemi së denoncuari cdo shkelje të bërë nga ekzekutivi i Komunës së Lipjanit, sa herë që kemi fakte dhe dëshmi. Dhe do t’ua rikujtojmë ato në vazhdimësi qytetarëve dhe organeve të rendit, derisa drejtësia të vihet në vend.