Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se mungesa e stabilitetit të brendshëm politik është reflektuar drejtpërdrejt edhe në pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Hoxhaj ka deklaruar se Kosova që nga viti 2019 nuk ka treguar, sipas tij, vullnet dhe ambicie të mjaftueshme për të avancuar pozitën e saj ndërkombëtare.
“Politika e jashtme është veç zgjatim i politikës së brendshme. Nëse s’ka politikë të brendshme, s’ka as politikë të jashtme. Të gjitha qeveritë nga 2019-ta nuk kanë treguar vullnet, interes dhe ambicie politike për të marrë njohje, për të marrë anëtarësime në organizata ndërkombëtare, për ta fuqizuar raportin tonë me SHBA-të, për ta marrë statusin e kandidatit”, ka thënë ai për EO.
Sipas tij, kjo situatë ka bërë që Kosova të mbetet pa një politikë të mirëfilltë të jashtme.
“Kosova në këto shtatë vitet e fundit, prej 2019-ës e deri më tash, realisht nuk ka pasur politikë të jashtme dhe kjo gjendje tregon për mjerimin politik në të cilin është Kosova”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka qenë veçanërisht kritik ndaj marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, duke pretenduar se ato kanë dëmtuar shtetin e Kosovës dhe kanë krijuar hapësirë për funksionimin e dy sistemeve politike.
“Nëse ka pasur një goditje që e ka këputur në kurriz, që ka goditur në palcë shtetin e Kosovës, është marrëveshja e Brukselit e Ohrit.”
Ai ka pretenduar se marrëveshjet u kanë dhënë serbëve në Kosovë një autonomi të zgjeruar dhe se disa elemente të tyre janë zbatuar në mënyrë të njëanshme. Hoxhaj ka përmendur edhe Ligjin për të Huajt, të cilin e ka cilësuar si pjesë të një politike për ndryshimin e strukturës demografike të Kosovës.
“Ligji për të huajt është qëllimi, janë objektivat dhe është fryma e njëjtë e politikës e cila në të kaluarën është ndjekur prej regjimeve më brutale serbe në raport me Kosovën për ta ndryshuar strukturën demografike të Kosovës.”
Kritika ndaj qeverisjes së Kurtit janë bërë edhe nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Ajo ka deklaruar se Aleanca nuk do të hyjë në qeverisje me Albin Kurtin dhe ka thënë se gjashtë kushtet e vendosura nga kjo parti kanë për qëllim, sipas saj, tejkalimin e situatës politike dhe mbrojtjen e interesit të shtetit.
“Ne nuk do të qeverisim me Albin Kurtin.”
Kadrijaj ka thënë se Aleanca nuk ka kërkuar poste apo pozita ministrore në këmbim të mbështetjes politike.
“Ne për atë i kemi lehtësu, i kemi qitë kushtet që janë kushte për interes të Kosovës e për qytetarët e Kosovës. S’kemi lypë dhe s’kemi abuzuar duke dashur me shkuar me kërkuar diçka digastere ministrore.”
Ajo ka akuzuar Kurtin për mungesë të programit dhe për dështim në qeverisje.
“Zoti Albin Kurti asnjëherë s’ka pasur program. Secilën fushatë zgjedhore ka dalë pa program zgjedhor.”, ka thënë ajo për EO.
Kadrijaj ka kritikuar edhe politikën energjetike të Qeverisë, duke pretenduar se Kosova ka shpenzuar shuma të mëdha për import të energjisë, përfshirë nga Serbia.
“Ai po blen energji 1 miliard, po shpenzon 1 miliard nga xhepi i varfër i qytetarëve me ble energji në Serbi. Po shet qymyr në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ne nuk e kemi asnjë kapacitet energjetik. Nëse partitë duan t’i evitojnë zgjedhjet, duhet ta votojnë Bekim Sejdiun për president”, ka thënë ajo





