Kryetarët e grupeve parlamentare të PDK-së dhe Aleancës, Arian Tahiri dhe Besnik Tahiri, kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për mbajtjen e seancës konstituive nesër duke filluar nga ora 11:00.
Siç kanë bërë të ditur në konferencën për media, ata kanë dorëzuar kërkesë te deputeti më i vjetër, Avni Dehari, për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive.
Arian Tahiri i PDK-së tha se LVV po pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës duke abuzuar me kryesuesin Avni Dehari, nëpërmjet mos thirrjes së seancës.
“Ne si PDK i kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet, në bazë të rregullores së punës së Kuvendit, ta respektojë ligjin e Kuvendit e Kushtetën dhe ta thërras seancën në mënyrë që të konstituohet Kuvendi dhe të kemi normalitet e kuvend funksional”, tha Tahiri.
Tahiri ka njoftuar që propozimi i tyre për mbajtjen e seancës nesër duke filluar nga ora 11:00 u është dërguar edhe partive të tjera politike, ndërkaq deri më tani kanë marrë konfirmim nga Aleanca.
Ndërkaq Besnik Tahiri i AAK-së tha se situata është emergjencë kombëtare dhe se sipas tij, kjo është tendencë për shkatërrim kushtetues.
“Unë kam biseduar me kolegët në LDK. Siç e dini ata kanë mbledhje sot në orën 14:00, nuk e dimë se si do t’i qasen këtij veprimi. Ajo që është thirrja jonë është të jemi bashkë në mbrojtje të këtij tempulli”, tha ai.






