Rreth një javë pas sulmeve brutale nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, në një mbledhje që u cilësua si “komision hetimor” edhe nga vetë ai, kryeprokurori Blerim Isufaj ka pritur në takim ambasadorin britanik dhe shefen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, ndërsa Prokuroria Speciale është përgëzuar për punën e saj.
Isufaj, i cili gjatë javës së kaluar ishte cak i sulmeve të ashpra nga disa anëtarë të KPK-së, këtë të premte ka pritur fillimisht ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves.
Në një komunikatë për media, është bërë e ditur se ambasadori britanik e ka përgëzuar Prokurorinë Speciale për punën e saj.
“Ambasadori britanik e përgëzoi Prokurorisë Speciale për punën e saj, dhe riafirmoi mbështetjen dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit. Mbështetjen dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, me autoritetet e Britanisë së Madhe, e theksoi edhe z.Isufaj si një nga partnerët kryesorë insitucionalë të Prokurorisë Speciale”, thuhet në njoftim.
Më pas, Isufajn e ka vizituar edhe shefja e Ambasadës Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. Në takim është diskutuar puna e Prokurorisë Speciale dhe sundimi i ligjit në Kosovë.
“Prokuroria Speciale e ka falënderuar znj. Prattipati dhe Ambasadën Amerikane për mbështetjen e dhënë në hetimet e sukseshme kundër organizatave kriminale që merren me krimin transnacional, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese amerikane në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Po ashtu, PSRK-ja i shprehu mirënjohje Asmbasadës së SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme në ruajtjen e plotë të pavarësisë së Prokurorisë Speciale dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
Ndërkohë, nuk është raportuar për ndonjë takim të partnerëve ndërkombëtarë me Zejnullah Gashin, kryeprokurorin e Shtetit që u dekretua para pak ditësh nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Sulmet ndaj Isufajt
Javën e kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku për punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025 ka raportuar kryeprokurori Blerim Isufaj.
Raportimi është shoqëruar me sulme brutale nga disa anëtarë të KPK-së.
Në një moment, Isufaj e ka krahasuar mënyrën e pyetjeve me një komision hetimor.
“S’po më duket që jam tu raportu para KPK-së, po sikur para një komisioni hetimor”, ka deklaruar ai.
Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, ngriti pretendimin se në PSRK nuk janë mbajtur kolegjiume për rreth katër vjet, gjë që Isufaj e mohoi, duke thënë se mbahen takime me departamentet dhe diskutohen sfidat e prokurorëve.
Debat pati edhe për numrin e prokurorëve. Isufaj tha se PSRK-së i nevojiten së paku shtatë prokurorë të rinj për shkak të rritjes së numrit të lëndëve, ndërsa Krasniqi tha se sipas analizës së KPK-së, institucioni ka tetë prokurorë më shumë se sa i nevojiten.
Isufaj, megjithatë, vlerësoi se gjatë vitit 2025 PSRK-ja ka shënuar rezultate, duke përmendur aktakuza ndaj ministrave, ish-ministrave, drejtorëve dhe udhëheqësve të bordeve.
Raportimi u shoqërua me përplasje të dukshme mes Isufajt dhe disa anëtarëve të KPK-së.
Më shumë detaje, gjeni në tekstin: “Sikur para një komisioni hetimor”: KPK në stilin e VV-së, presion ndaj kryeprokurorit Isufaj gjatë raportimit






