“Ky përshkallëzim ushtarak përbën një kërcënim të rëndë për paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe sjell me vete rreziqe serioze për stabilitetin rajonal”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë irakiane, Basim Alawadi, përmes një komunikate zyrtare.
Ai paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme mund të çojnë në “një përshkallëzim të rrezikshëm me pasoja që mund të tejkalojnë kufijtë e çdo shteti të vetëm, duke vënë në rrezik sigurinë e të gjithë rajonit – madje edhe më gjerë”.
Iraku bëri thirrje për një de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës dhe nënvizoi nevojën që bashkësia ndërkombëtare të kujtojë se “luftërat lënë pas vetëm shkatërrim”, përfundon deklarata.