Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, zhvilloi këtë të martë një konferencë me gazetarët, ku foli mbi ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën.
Shmyhal qetësoi qytetarët ukrainas duke thënë se ushtria i ka aktualisht armatimet dhe mjetet e nevojshme për të mbajtur vijat e para në front pavarësisht pezullimit të ndihmave.
Kryeministri bëri të ditur se Ukraina do të vazhdojë të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara përmes të gjitha kanaleve diplomatike të disponueshme.
Ai nënvizoi se vendi i tij është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për minerale me SHBA-në, e cila do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara akses në depozitat e mineraleve të rralla të Ukrainës.
Kryeministri ftoi palën amerikane për firmosjen e marrëveshjes, duke nënvizuar se ndihma ushtarake amerikane është “kritike” për Ukrainën, për të shpëtuar mijëra jetë njerëzish.
Ai deklaroi se Ukraina është shumë e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-të arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
Shmyhal falënderoi SHBA-në për mbështetje të vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit dhe e quajti ndihmën e tyre “jetike” për Ukrainën.
Ai gjithashtu i shprehu mirënjohjen Evropës për mbështetjen dhe vlerësoi planet e shpallura nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për një financim shtesë prej 800 mld euro për mbrojtjen evropiane.