IKD dhe KDI: Kushtetuesja vendosi standard të ri

- Advertisement -

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Kuvendi është konstituuar pas afatit kushtetues 30-ditor, pa vendosur pasoja, por duke u kërkuar deputetëve që të zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar, në këtë rast PDK-në, si dhe duke konstatuar se Qeveria është e ligjshme, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor, për hulumtuesin në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, Kushtetuesja ka krijuar një standard të ri, duke shkaktuar disa kontradikta krahasuar me vendimet e kaluara.

“Çfarë shihet në këtë rast është se Gjykata Kushtetuese ka bërë një ndryshim serioz në jurisprudencën e saj, duke interpretuar nenin 67 të Kushtetutës, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat e mëhershme. Në disa aktgjykime, Gjykata Kushtetuese e ka thënë qartë se duhet të përmbushen të gjitha elementet thelbësore për t’u konstituuar Kuvendi, ndërsa element thelbësor është zgjedhja e të gjithë nënkryetarëve.”, tha Shala për rtv21

Hulumtuesi i Zyrës Ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, e quan të pazakontë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.

“Duket se ka një ndryshim të standardit të vitit të kaluar. Janë rillogaritur sa i përket vlefshmërisë së konstituimit të institucioneve.”, tha Bugaku për rtv21

Gjykata Kushtetuese ka saktësuar se numërimi i afatit për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe, nëse brenda 60 ditësh nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gëzim Shala nga IKD vlerëson se Kuvendi dhe Qeveria vazhdojnë punën normalisht deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit.

“Nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 6 tetor, vendi hyn në një territor të pashkelur kushtetues, sepse përfundon edhe afati i u.d. së presidentes.”

Ndërsa, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerëson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë një sqarim të ri, sepse afatet kushtetuese do të rrjedhin nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, pavarësisht nëse klasa politike nuk ka gatishmëri për t’i konstituuar institucionet.

“Kjo paraqet një situatë të re, sepse vitin e kaluar është sqaruar se konstituimi i Kuvendit është akt kushtetues, nga i cili rrjedhin themelimi dhe konstituimi i organeve të tjera kushtetuese. Pra, edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit është llogaritur nga dita e konstituimit të Kuvendit. Kurse tani, afati rrjedh pavarësisht nëse është konstituuar Kuvendi.”

Ndërkohë, sot është caktuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Nuk dihet nëse kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, do ta thërrasë seancën për zgjedhjen edhe të nënkryetarit të pestë, i cili i përket PDK-së.

Të ngjashme

Të fundit