12.9 C
New York
Friday, October 3, 2025

Buy now

Partia Socialiste e përkrahë protestën kundër Gjykatës Speciale në Tiranë, kreu i grupit parlamentar do të marrë pjesë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, do të marrë pjesë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë kundër Gjykatës Speciale.

“Po patjetër. Unë do të marr pjesë”, ka thënë Balla në një përgjigje për VOX Kosova.

Edhe më herët, në një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, ai u kishte bërë thirrje qytetarëve të bashkoheshin sa më masivisht në këtë protestë. Përveç tij, pritet që në tubim të marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë të PS-së.

Partia Socialiste, e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, ka qenë ndër zërat më të artikuluar kundër procesit gjyqësor në Hagë, duke e cilësuar atë të padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Rama, madje, ka kritikuar shpesh institucionet e Kosovës për mungesë vullneti në ndërmarrjen e veprimeve kundërshtuese.

Në një intervistë për Klan Kosova, më 29 shtator, Kryeministri shqiptar deklaroi se nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit për Gjykatën Speciale, të cilës Shqipëria do t’i bashkohej menjëherë.

“Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse sepse ka shumë farsë në këtë mes”, tha ai.

Edhe në fjalimin e tij në foltoren e Parlamentit të Kosovës, më 20 dhjetor 2024, në mbledhjen e dy kuvendeve: atij të Kosovës dhe Shqipërisë, Rama kishte thënë se Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë asgjë për të nxjerrë një rezolutë për padrejtësinë në Gjykatën Speciale.

“Dua ta dini të gjithë, se nëse Kuvendi do e ndërmerrte nismën për t’iu drejtuar gjitha shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale dhe nëse do na kërkohej që një nisem të tillë t’i bashkohet edhe Kuvendit të Shqipërisë, PS do të angazhohej pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë”, thoshte Rama.

Kryeministri shqiptar ka ndërmarrë edhe hapa ndërkombëtarë për ta kundërshtuar Gjykatën Speciale. Më 18 tetor 2022, ai i dërgoi një letër krerëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, duke kërkuar një raport të ri për të zhbërë akuzat e sajuara të ish-senatorit zviceran Dick Marty, i cili kishte hartuar një raport ku akuzoheshin krerët e UÇK-së për trafikim organesh. Ky raport ishte miratuar nga Këshilli i Evropës më 2011.

Ndërkohë, më 4 prill 2023, kreu i ekzekutivit shqiptar kishte mbledhur firmat zyrtarisht në Asamblenë e Këshillit të Evropës, për një mocion të një rezolute të re, për të përmbysur atë të 2011-së.

Në fjalimin e tij në maj 2023, para Këshillit të Evropës, Rama e përqendroi gati tërë fjalimin në mbrojtje të UÇK-së dhe ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet presidenti i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës pati zanafillën brenda Këshillit të Evropës. Asambleja e Këshillit të Evropës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapsht të raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve lehtësuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, thoshte Rama në fjalën e tij.

Përveç nga Shqipëria, protesta në Tiranë është mbështetur edhe nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim e njëri nga themeluesit e UÇK-së, ka njoftuar se ka pezulluar të gjitha aktivitetet elektorale më 17 tetor – dy ditë para zgjedhjeve lokale në RMV – për të marrë pjesë në protestën në Tiranë.

Protesta në Tiranë vjen pas asaj që u mbajt në Prishtinë më 7 gusht dhe asaj në Hagë më 14 shtator, ku dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet protestuan kundër Gjykatës Speciales e në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.

Të ngjashme

Të fundit