Shqipe Pantina nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka komentuar reagimin e presidentes, Vjosa Osmani ndaj deklaratës së kreut të Kuvendit, Glauk Konjufca lidhur me letrën e dërguar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në Asamblenë e KiE-së.
Pantina ka thënë se reagimi i Osmanit ka ardhur si shkak i ndjeshmërisë së madhe personale që ka pasur e para e shtetit.
Sipas Pantinës, presidentja është prekur në sedër që nuk u informua për letrën e dërguar në KiE.
“Tani është prekur si duket sedra e saj. Ajo përveç si institucion që nuk është pyetur, në anën tjetër nuk është konsultuar si një ish-lidere e formacionit politik të cilin ajo e kishte krijuar. Në këtë rast ndjeshmëria personale e saj është më e madhe” është shprehur ajo.
Ndërkohë ajo ka vlerësuar se Osmani nuk ka reaguar ndaj disa vendimeve të Qeverisë, që rrezikuan raportet me aleatët, sidomos me ShBA-në.
“Presidenca është dashur edhe më herët të reagojë, atëherë kur Kurti ka rrezikuar seriozisht raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendoj se shumë shpesh i ka mbajt anën Qeverisë dhe reagoj vetë kur u prek personalisht”, shtoi ajo në emisionin “Ditari” në TËVË 1.