Ylli i Chelseat, Cole Palmer, ka fituar çmimin si Lojtari më i mirë i ri në Premierligë, pas paraqitjeve fantastike në sezonin 2023/24.
22-vjeçari, ka qenë lojtari më i dalluar te skuadra londineze, me këta të fundit që kaluan një sezon me plotë vuajtje, por që paraqitjet e yllit anglez kanë bërë që kjo skuadër të paktën të garojë për një vend në gara evropiane.
Reprezentuesi anglez për çmimin në fjalë mposhti emra të mëdhenj në konkurrencë, si: Phil Foden, Erling Haaland, Alexander Isak, Kobbie Mainoo, William Saliba, Bukayo Saka dhe Destiny Udogie.
Palmer mbërriti në Stamford Bridge në ditën e fundit të afatit të transferimit verën e kaluar, pasi Manchester City hapi derën për yllin e tyre të akademisë për të lënë klubin.
Ai që prej asaj kohe ka shënuar 22 gola dhe ka shtuar dhjetë asistime në të gjithë sezonin aktual, duke çuar Chelsean në vendin e gjashtë në elitën e futbollit anglez.
Skuadra e Mauricio Pochettino aktualisht janë tre pikë para Newcastle United të vendin të shtatë, me të kaltrit që kërkojnë të sigurojnë futbollin evropian për sezonin e ardhshëm.
Chelsea nuk e ka siguruar ende vendin e gjashtë, pasi ka goldallim më të keq se Newcastle, por që një fitore në ndeshjen e ardhshme dhe humbja e Tottenhamit, do të bënte që ata të rrëmbenin vendin e pestë.